Katërmbëdhjetë avionë amerikanë për furnizim me karburant mbërritën gjatë fundjavës në Izrael, ndërsa mediat izraelite raportojnë se Uashingtoni po shqyrton dislokime të tjera ushtarake për shkak të tensioneve të reja me Iranin.
Sipas portalit izraelit “Walla”, i cili i referohet një burimi të paidentifikuar në forcat ajrore izraelite, ushtria amerikane planifikon të dislokojë gjithsej 100 avionë për furnizim me karburant në bazat ushtarake izraelite dhe në aeroportin Ramon, në jug të vendit.
Burimi deklaroi për mediat izraelite:
“Nëse amerikanët i intensifikojnë sulmet ndaj Iranit, do të nevojitet dislokimi i më shumë avionëve amerikanë për furnizim me karburant në Izrael.”
Ai shtoi se, në një rast të tillë, këta avionë mund të ulen edhe në aeroportin Ben Gurion, pranë Tel Avivit.
Në aeroportin Ben Gurion tashmë janë parkuar 33 avionë amerikanë për furnizim me karburant, ndërsa autoritetet izraelite kanë paralajmëruar për mundësi të çrregullimeve në trafikun ajror civil gjatë sezonit veror turistik.
Për momentin nuk ekziston ndonjë vlerësim zyrtar izraelit për numrin e përgjithshëm të avionëve amerikanë të këtij lloji që aktualisht ndodhen në vend.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi të shtunën se administrata e presidentit amerikan Donald Trump e kishte njoftuar Izraelin për planet për përshtatjen e dislokimit ushtarak në rajon.
Sipas këtyre raportimeve, një pjesë e avionëve tashmë ka mbërritur në bazën ajrore Ovda, në jug të Izraelit, ndërsa ardhja e avionëve të tjerë pritet në baza të tjera.









