Perëndimi reagon ashpër ndaj paralajmërimeve të Putinit për testime bërthamore; Kremlini: “E gjitha është histeri”

Pas deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin se Rusia, duke marrë parasysh veprimet e SHBA-së, mund të nisë testime bërthamore, kanë pasuar reagime të ashpra nga Perëndimi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi mediat perëndimore se përkthyejnë në mënyrë të turpshme fjalët e Putinit dhe i interpretojnë si sinjal për fillimin e testimeve.

“E gjitha është në përputhje me histerinë militariste anti-ruse që po shpërthen aktualisht në vendet e Evropës Perëndimore,” tha Peskov, duke vërejtur se reagimet e politikanëve dhe mediave perëndimore janë tepër emocionale, pavarësisht “sqarimeve të qarta” të presidentit.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi nisjen urgjente të testimeve të armëve bërthamore, duke e arsyetuar vendimin me pretendimin se edhe vende të tjera po veprojnë njësoj.

Në këtë sfond, Këshilli i Sigurisë i Rusisë mbajti dje një mbledhje ku ministri i mbrojtjes Andrey Belousov bëri thirrje për nisjen e përgatitjeve për prova bërthamore në poligonin Nova Zemlya.

Putin urdhëroi mbledhjen e informacioneve shtesë, analizën dhe paraqitjen e propozimeve të koordinuara lidhur me mundësinë e fillimit të përgatitjeve për testime të tilla. Ai theksoi se Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Traktati për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore (CTBT), por do të detyrrohet të marrë masa përkatëse nëse ndonjë nga palët nënshkruese vendos ta shkelë traktatin.

Kategoritë
BotaLajme