Nesër tre muaj nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit që si parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, pasuar me PDK-në dhe LDK-në e që deri më sot ku janë mbajtur 12 seanca konstituive, Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja.
Lëvizja Vetëvendosje pas seancës së betimit të deputetëve ka propozuar Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit, kjo pasi sipas tyre është gruaja më e votuar në vend dhe ka një përvojë disa vjeçare në punën e parlamentit. Por Haxhiu nuk u pranua dhe assesi nuk po shihet si meritore për postin e kryekuvendares, nga tri partitë tjera të mëdha në vend.
Këtë bllokadë dhe këtë ngërç institucional e ka komentuar për Lajmi.net deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ku tha se PDK është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, u shpreh Deliu-Kodra.
Seanca e 13-të konsultative mbahet nesër me 9 maj 2025 nga ora 10:00, dhe nëse do të votohet kryekuvendarja hapet rruga për formimin e Qeverisë.
Vetëvendosje po vazhdon ta përdorë të drejtën për propozim si parti e parë e dalë nga zgjedhjet, derisa nga partitë e tjera kërkohet që të hapet rrugë e t’i jepet zgjidhje kësaj situate./Lajmi.net/