PDK e Aleanca kritikojnë LVV-në për zvarritjen e konstituimit, përmendet 27 dhjetori si “datë e zgjedhjeve”

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri u janë drejtuar mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, pas deklarimeve të tyre në sallën plenare lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se nga ta nuk pranon “leksione politike e morale”.

Ajo ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se të zgjedhurve të popullit u kërkohet që ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.

“Zonja Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë dhe e vetmja gjë që mbaj mend janë nismat ligjore që kanë përfunduar në Kushtetuese dhe kanë rezultuar me shkelje të Kushtetutës”, ka thënë Çitaku.

Duke folur për KQZ-në, Çitaku ka thënë se ky institucion është i pavarur dhe ka akuzuar LVV-në se, sipas saj, synon defunksionalizimin e institucioneve.

Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me përfaqësimin e partisë në KQZ.

Ndërkohë, Besnik Tahiri ka thënë se vazhdon të mungojë hapi për konstituimin e Kuvendit dhe se aktualisht nuk ka vullnet politik për një marrëveshje që do të mundësonte formimin e qeverisë.

Tahiri ka përsëritur se Aleanca e mbështet konstituimin e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

“Aleanca është zotuar si partia e parë që është e gatshme që votat në Kuvend t’i ofrojë për një president konsensual”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, strategjia që po ndjek aktualisht LVV-ja ka të bëjë me kohën dhe presionin politik për një qëllim tjetër, për të cilin, siç tha, partitë tjera nuk e dinë se cili është.

Tahiri ka thënë se Aleanca është e gatshme t’i ofrojë shtatë votat e saj, por me kusht që të merren parasysh gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi