Fenerbahce po kalon një periudhë tejet të ngarkuar dhe ambicioze në afatin kalimtar, duke treguar qartë synimet e saj për ta rivalizuar fuqishëm Galatasarayn në garën për titullin e kampionit, trofe që mungon tash e dhjetë vite. Klubi nga Stambolli në dy ditët e fundit ka zyrtarizuar tri goditje të mëdha, duke sjellë në skuadër emra të njohur nga futbolli evropian.
Më herët Fenerbahce ka ofuar emra si Jhon Durant (Al Nassr), Edson Alvarez (West Ham), Nelson Semedo (Wolves), Archie Brown (KKA Gent) dhe Nene (RB Lepzig)
Fillimisht, u arrit marrëveshja me gjigantin francez Paris Saint-Germain për transferimin e përhershëm të mesfushorit spanjoll Marco Asensio.
29-vjeçari, i cili ka përvojë të madhe në futbollin elitar, nënshkroi një kontratë 3+1-vjeçare që e lidh atë me ngjyrat verdhë e blu.Më pas, klubi konfirmoi edhe transferimin e anësorit të Kombëtares së Turqisë, Kerem Aktürkoğlu, i cili erdhi nga Benfica.
26-vjeçari ka firmosur për katër vite me klubin turk, duke shtuar forcë dhe kreativitet në krahët e sulmit.

Goditja e tretë e madhe ishte marrëveshja me kampionët e Anglisë, Manchester Cityn, për portierin brazilian Ederson Santana de Moraes.
Me përvojën e tij të madhe, gardiani i besueshëm ka nënshkruar një kontratë 3+1-vjeçare dhe pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të ekipit
Por Fenerbahce nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Raportet nga Italia dhe Turqia tregojnë se klubi ka shfaqur interes serioz për sulmuesin e Atalantas, Ademola Lookman.
Nigeriani mbetet ende pjesë e klubit italian, pavarësisht një kërkese për transferim dhe refuzimit të një oferte prej 45 milionë euro nga Interi më herët gjatë verës.
Fenerbahce i ka ofruar lojtarit një kontratë katërvjeçare me rreth 6 milionë euro në sezon, ndërsa bisedimet janë ende në proces dhe nuk ka marrëveshje përfundimtare me lojtarin apo Atalantan.
Përveç përforcimeve në fushë, klubi është në kërkim edhe të trajnerit të ri. Pas largimit të Jose Mourinhos, bordi po shqyrton disa emra të njohur nga futbolli turk.
Në listë janë trajnerë si Abdullah Avci, Volkan Demirel, Sergen Yalçın dhe Ismail Kartal, me prirje të qartë që Fenerbahce të drejtohet nga një trajner vendas në sezonin e ri.
Në këtë mënyrë, Fenerbahce po tregon qartë se po ndërton një skuadër të frikshme, ku përveç yjeve të sapoafruar, Ademola Lookman shihet si pjesa e fundit e një mozaiku që mund ta kthejë klubin në një pretendent serioz për lavdi brenda dhe jashtë Turqisë. /Telegrafi/