Pas tetë muajsh nga burgu taliban, u lirua një çift britanik i moshuar: Jetonin në Afganistan që nga viti 1970

Një çift britanik i moshuar, që ishte mbajtur i burgosur në Afganistan për gati tetë muaj, u lirua të premten, me shumë gjasë si pjesë e përpjekjeve të talibanëve që qeveria e tyre të njihet ndërkombëtarisht disa vite pas marrjes së pushtetit.

Zyrtarët talibanë refuzuan të thonë pse në shkurt u arrestuan Peter Reynolds (80) dhe gruaja e tij Barbie (76) teksa po ktheheshin në shtëpi.

“Na trajtuan shumë mirë. Po presim me padurim të shohim fëmijët tanë. Shpresojmë të kthehemi në Afganistan nëse mundemi. Ne jemi shtetas afganë”, tha Barbie, me shami të kuqe, duke qëndruar pranë burrit të saj afër avionit në pistën e aeroportit të Kabulit.

Më vonë të premten ata arritën në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku u përqafuan nga vajza e tyre Sarah Entwistle dhe anëtarë të tjerë të familjes, sipas pamjeve televizive.

Entwistle tha për AFPTV se ndiente “mirënjohje dhe lehtësim të madh”.

“Ky është një moment gëzimi të jashtëzakonshëm për familjen tonë. Jemi thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që luajtën rol në sigurimin e lirimit të tyre”, tha ajo.

Një diplomat katarias tha se çifti do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore në Doha para se të fluturojë për në Londër të shtunën me avion komercial.

Çifti ishte martuar në Kabul më 1970 dhe kaluan gati dy dekada duke jetuar në Afganistan, ku drejtonin programe arsimore për gra dhe fëmijë. Ata gjithashtu kishin marrë shtetësinë afgane. Kur talibanët u kthyen në pushtet më 2021, ata vendosën të qëndronin në Afganistan, pavarësisht këshillës së ambasadës britanike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme talibane, Abdul Qahar Balkhi, tha se çifti iu dorëzua të dërguarit të posaçëm britanik në Afganistan, Richard Lindsay.

“Dy shtetasit britanikë, Peter dhe Barbara Reynolds, të cilët kishin shkelur ligjet e Afganistanit, u liruan sot nga burgu pas procedurës gjyqësore,” tha Balkhi.

Fillimisht, çifti u mbajt në një objekt me siguri maksimale, “më pas në qeli nëntokësore, pa dritë natyrale, para se të transferoheshin” tek shërbimet e inteligjencës në Kabul, sipas ekspertëve të OKB-së.

Në fund të korrikut, ekspertë të pavarur të OKB-së për të drejtat e njeriut kërkuan lirimin e çiftit, duke paralajmëruar se ata rrezikonin “dëme të pariparueshme apo edhe vdekje” për shkak të “përkeqësimit të shpejtë” të shëndetit të tyre fizik dhe mendor.

Familja e tyre kishte kërkuar vazhdimisht lirimin duke theksuar gjendjen e rënduar shëndetësore.

Kryeministri britanik Keir Starmer mirëpriti lirimin e tyre, duke thënë se kjo është “një lajm i shumëpritur që do të sjellë lehtësim të madh për ta dhe familjen e tyre”.

“Dua të përshëndes rolin jetik që ka luajtur Katari, përfshirë emirin sheik Tamim bin Hamad al-Thani, në sigurimin e lirisë së tyre”, tha Starmer në një deklaratë.

Kategoritë
BotaLajme