Pas tërmetit të kaluar që la mbi 1400 të vdekur, një tjetër ka goditur Afganistanin

Tërmet me magnitudë 5.2 shkallësh të Rihterit goditi juglindjen e Afganistanit, vetëm dy ditë pasi një tërmet me magnitudë 6 vrau më shumë se 1400 persona dhe plagosi mijëra të tjerë në të njëjtën rajon, çka ka shtuar frikën për dëme dhe shkatërrime të mëtejshme.

Tërmeti i sotëm ishte në një thellësi relativisht të vogël, prej 10 kilometrash, njësoj si ai që goditi vendin të dielën në mesnatë.

Ai ishte një nga tërmetet më të rënda në Afganistan në shumë vite, duke rrafshuar shtëpi në fshatra të izoluara. Ende nuk dihen përmasat e dëmeve të tërmetit të ri.

Terreni i vështirë po pengon seriozisht përpjekjet e ekipeve të shpëtimit për të ofruar ndihmë në fshatrat e izoluara të rajonit malor të prekur, raporton aljazeera.

Deri tani dihet se të paktën 1,411 persona kanë humbur jetën, 3124 janë lënduar dhe më shumë se 5400 shtëpi janë shkatërruar, ka deklaruar zëdhënësi i administratës talebane, Zabihullah Mujahid.

Ka frikë se më shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja, ka bërë të ditur Gjysmëhëna e Kuqe Afgane, një organizatë humanitare që vepron në rajon. Koordinatori i OKB-së në Afganistan ka thënë se numri i viktimave pritet të rritet edhe më tej.

Ky vend i izoluar është i prirur ndaj tërmeteve vdekjeprurëse, veçanërisht në vargun malor Hindukush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike. Provincat lindore Kunar dhe Nangarhar janë goditur më rëndë nga tërmeti i së dielës në mbrëmje.

Kategoritë
BotaLajme