Lideri i Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Mike Johnson, zhvilloi një takim me lobistët e grupit AIPAC, të njohur për lidhjet e tij me qeverinë izraelite, si dhe me liderë të tjerë hebrenj në SHBA.
Edhe pse nuk u njoftua zyrtarisht, mediat amerikane zbuluan se Johnson, pas dyerve të mbyllura, u premtoi lobistëve se do të luftojë kundër “izolacionistëve” brenda Partisë Republikane.
Me termin “izolacionistë”, sipas ekspertëve në SHBA, nënkuptohen anëtarët e Partisë Republikane që nuk shfaqin mbështetje të hapur për Izraelin dhe kundërshtojnë dërgimin e parave në këtë vend.
Johnson u tha bashkëbiseduesve se synimi i tij është që “krahu izolacionist” i Partisë Republikane të mos zgjerohet më tej, duke pasur frikë nga ndryshimet në qëndrimin ndaj Izraelit, të cilat tashmë po shfaqen brenda Partisë Demokrate.
Përveç Johnsonit, në takim mori pjesë edhe kongresmeni Randy Fine, i njohur për deklaratat e tij skandaloze ku ka mohuar urinë në Gaza dhe ka justifikuar sulmet izraelite ndaj civilëve palestinezë.
Informacionet nga ky takim nuk janë shpërndarë përmes kanaleve zyrtare të pjesëmarrësve, ndërsa detajet u publikuan kryesisht nga Jewish Insider.