Para Kapitolit në Uashington u vendos një statujë e madhe e Donald Trumpit

Para Kapitol-it në Uashington është vendosur një statujë rreth 3 metra e lartë, e artë, e presidentit amerikan Donald Trump, i cili në duar mban Bitcoin.

Instalacioni u vendos në të njëjtën kohë me vendimin e ri të Rezervave Federale për normat e interesit, të marrë të mërkurën.

Saktësisht në orën 14:00, Rezervat Federale njoftuan se po e ulin normën bazë të interesit për një çerek përqindje, që përbën uljen e parë që nga dhjetori i vitit 2024. Norma e re arrin rreth 4,1%, ndërsa më parë ishte 4,3%. Vitin e kaluar banka qendrore e kishte ulur normën tre herë për shkak të shqetësimeve mbi ngadalësimin e rritjes së punësimit dhe rritjen e papunësisë.

Rezervat Federale kanë paralajmëruar edhe dy ulje të tjera gjatë këtij viti, ndërsa për vitin 2026 pritet vetëm një. Ky plan mund të zhgënjejë Wall Street-in, ku shpresonin që deri vitin tjetër të kishte të paktën pesë ulje.

Statuja e përkohshme u ekspozua në Rrugën 3, nga ora 9:00 deri në 16:00, dhe u financua nga investitorë të kriptovalutave. Organizatorët thanë se instalacioni është menduar si nxitje për debat mbi të ardhmen e parasë digjitale, politikën monetare dhe rolin e qeverisë federale në tregjet financiare.

“Instalacioni është krijuar për të nxitur diskutimin mbi të ardhmen e parasë shtetërore dhe përfaqëson një simbol të ndërthurjes së politikës moderne dhe inovacioneve financiare,” tha Hichem Zaghdoudi, përfaqësues i kolektivit të investitorëve në kriptovaluta që financuan projektin. “Ndërsa Rezervat Federale formësojnë politikën ekonomike, shpresojmë që kjo statujë të nxisë reflektim mbi ndikimin gjithnjë e më të madh të kriptovalutave.”

Organizatorët shtuan se statuja përfaqëson gjithashtu një homazh për mbështetjen e hapur të Trumpit ndaj kriptovalutave dhe se ata prisnin të tërhiqte vëmendjen e madhe të kalimtarëve gjatë ditës.

Kategoritë
BotaLajme