Papa Leoni XIV u takua sot në Vatikan me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, në një takim që u përshkrua si i ngrohtë dhe i përzemërt. Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, bisedimet u përqendruan në nevojën urgjente për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe për të siguruar ndihmë humanitare për civilët që vuajnë pasojat e luftimeve.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e një zgjidhjeje të qëndrueshme mbi bazën e modelit të dy shteteve, që garanton sigurinë e Izraelit dhe sovranitetin e Palestinës. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë midis Papës Leon dhe presidentit Abbas.
Një ditë më parë, Abbas vizitoi Romën dhe nderoi kujtimin e ish-papës Françesku, duke vendosur buketë me lule mbi varrin e tij në bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Ai u shpreh se “kurrë nuk do ta harrojë çfarë ka bërë Papa Françesku për Palestinën dhe popullin palestinez.”
Vizita e presidentit Abbas u zhvillua në kuadër të 10-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse midis Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, dokument që konfirmon mbështetjen për vetëvendosjen palestineze dhe për një paqe të qëndrueshme nëpërmjet zgjidhjes me dy shtete.









