Shumë vende janë kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, por vetëm Hungaria e shpreh publikisht këtë qëndrim, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Ai, për portalin “Patriota”, tha se fakti që shumë vende janë kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE do të dalë në pah, herët a vonë.
“Kur është e nevojshme të flitet drejtpërdrejt dhe me sinqeritet, vetëm Hungaria del hapur kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE, për shkak të aspekteve financiare, ushtarake, policore dhe të tjera që përmenda.
Megjithatë, nuk jemi të vetmit – ka edhe të tjerë në korridore. Më herët apo më vonë, kjo do të dalë nga korridoret në sallën e takimeve”, theksoi Orbán në intervistë për “Patriota”.
Ai shtoi se Ukraina gjithmonë ka qenë një vend që ka mundur të mbijetojë vetëm përmes kredive të mëdha ndërkombëtare, raporton RT Balkan.
Orbán theksoi se nëse Ukraina pranohet në BE, atëherë Bashkimi Evropian do të duhet të financojë rindërtimin dhe funksionimin e atij shteti.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, më herët deklaroi se Hungaria do të mbajë konsultime kombëtare në javët e ardhshme lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në BE, dhe se nuk është e mundur të pranohen anëtarë të rinj në BE apo NATO pa miratim unanim.