Operacion i madh kundër pastrimit të parave dhe trafikut të drogës – sekuestrohen asete me vlerë 1 milion euro

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion më 30 qershor 2026 në Prishtinë, si rezultat i të cilit janë sekuestruar asete me vlerë të përafërt prej 1 milion euro.

Operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga trafikimi i drogës, në bashkëpunim me autoritetet e Italisë dhe Francës, si dhe me mbështetjen e Europol dhe Eurojust.

“Analiza e materialit të sekuestruar gjatë hetimit, së bashku me informacionin e marrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar në ekzekutimin e një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike të paraqitur nga autoritetet gjyqësore italiane, i mundësoi hetuesve të identifikonin llogaritë bankare, interesat e biznesit, pasuritë e paluajtshme dhe automjetet me vlerë të lartë në pronësi të një çifti të martuar shtetas të Kosovës që banojnë në Itali”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve, çifti është nën hetim në Itali për dyshime për pastrim parash dhe është arrestuar në Francë në shtator 2025. Po ashtu, gjatë hetimeve janë zbuluar më shumë se 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura në automjete të modifikuara.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi