OKB: Një në pesë fëmijë në Gaza ka ngelur pa marrë vaksinat rutinë gjatë luftës

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se dy vjet gjenocid dhe bllokadë izraelite kanë paralizuar sistemin shëndetësor të Gazës, duke i privuar mijëra fëmijë nga vaksinat shpëtuese

Një në pesë fëmijë në Rripin e Gazës ka humbur vaksinimet bazë gjatë dy viteve të fundit, për shkak të luftës dhe bllokadës izraelite ndaj territorit, bëri të ditur sot Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.

“Raportet tregojnë se një në çdo pesë fëmijë në Gaza nuk ka marrë vaksinat e tij thelbësore”, tha agjencia në një deklaratë në rrjetin social amerikan X.

Njoftimi vjen ndërsa Ministria e Shëndetësisë, UNRWA dhe Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-it, po përgatiten të nisin të dielën një fushatë vaksinimi në 150 qendra shëndetësore në gjithë enklavën, sipas të dhënave të mëparshme nga ministria.

UNRWA tha se fushata synon të arrijë 44 mijë fëmijë në Gaza për t’u ofruar vaksina shpëtuese dhe për t’i kontrolluar për kequshqyerje.

Fëmijët përbëjnë 47 për qind të popullsisë së Gazës ose rreth 980 mijë, sipas një raporti të Byrosë Qendrore të Statistikave të Palestinës të prillit 2025. Fushata zhvillohet pas dy vitesh gjenocidi izraelit, që shkaktoi kolaps pothuajse total të sistemit shëndetësor të Gazës dhe ndërprerjen e programeve të vaksinimit, duke lënë qindra mijëra fëmijë të pavaksinuar.

Në fillim të luftës, qendrat shëndetësore të drejtuara nga ministria dhe UNRWA ofronin vaksinime mujore të rregullta, por furnizimet me vaksina u mbaruan për shkak të kufizimeve izraelite dhe ndalimit të importeve mjekësore.

Gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe organizatat ndërkombëtare kanë arritur të kryejnë vetëm dy fushata emergjente vaksinimi kundër poliomielitit, më 1 shtator 2024 dhe 22 shkurt 2025. Sipas UNRWA-së, fushata e ardhshme do të shpërndajë vaksina përmes 24 qendrave shëndetësore dhe pikave mjekësore në gjithë Rripin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për të rivendosur shërbimet bazë shëndetësore për fëmijët.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, sektori shëndetësor i Gazës vazhdon të përballet me mungesa të thella të furnizimeve, pajisjeve dhe kapaciteteve.

Ismail al-Thawabteh, drejtor i zyrës qeveritare të medias në Gaza, tha për Anadolu të dielën se Izraeli ka shkelur armëpushimin dhe dispozitat humanitare të tij duke penguar hyrjen e furnizimeve mjekësore mes ndihmës së kufizuar humanitare që lejohet në enklavë.

Ndërkohë, Munir al-Barsh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, tha në Telegram se Izraeli vazhdon të bllokojë hyrjen e ilaçeve jetike, përfshirë ato për fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja, duke lejuar vetëm disa ilaçe bazike, ndërsa ndalon furnizimet për sallat e operacionit dhe urgjencat.

Izraeli ka mbajtur në kontroll anën palestineze të kalimit Rafah që nga maji 2024, pasi shkatërroi dhe dogji ndërtesat e tij, duke ndaluar udhëtimet përmes tij dhe duke përkeqësuar krizën humanitare dhe mjekësore në enklavë.

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë pothuajse 69 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170.600 të tjerë në sulmet e tij në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme