OJQ “Sakuntala” promovon artin, gjuhën dhe identitetin e komunitetit rom përmes ekspozitës “Zëri i Kulturës Rome”

OJQ Sakuntala, në kuadër të projektit “Arti dhe kultura tek komuniteti etnik rom në Republikën e Kosovës”, ka organizuar ekspozitën kulturore “Zëri i kulturës rome: Nga tradita në krijimtari”, e cila synon të promovojë gjuhën, artin dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit rom përmes një programi të pasur me aktivitete artistike dhe kulturore.

Ky aktivitet është mbajtur me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OSBE-së – Zyra në Prizren, duke vënë në pah rëndësinë e përfshirjes kulturore dhe ruajtjes së identitetit të komuniteteve në Kosovë.

Në hapjen e ekspozitës, udhëheqsja e projektit Indira Elshani theksoi se ky aktivitet është më shumë se një paraqitje artistike, duke e cilësuar atë si “një dëshmi e shpirtit, identitetit dhe krenarisë kulturore të komunitetit rom”.

Ajo shtoi se një segment i rëndësishëm i kësaj nisme i kushtohet botimit dhe përkthimit të veprave nga gjuhët botërore në gjuhën rome, punë kjo e nisur nga i ndjeri Prof. Ibrahim Elshani, me qëllim forcimin e përdorimit të gjuhës rome në letërsi dhe kulturë.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet pikturave që pasqyrojnë vlerat historike, shpirtërore dhe kulturore të komunitetit rom, përmes dokeve, zakoneve, veshjeve tradicionale dhe ikonave të njohura të këtij komuniteti.
Në ekspozitë janë prezantuar edhe punime artizanale që dëshmojnë mjeshtërinë dhe trashëgiminë brez pas brezi, ndërsa mbrëmja është pasuruar me muzikë që ndërthur elemente të klasikes, xhazit, bluzit, flamengos dhe muzikës gipsy, e interpretuar mjeshtërisht nga vëllezërit Dionis & Dalvin Mamusha nga Gjakova.

Në përmbyllje të fjalimit, znj. Elshani u shpreh se përmes këtyre iniciativave synohet të forcohet identiteti kulturor rom, të promovohet përfshirja sociale dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkulturor me komunitetin shumicë dhe institucionet lokale.

“Kultura është gjuha që na bashkon, ndërsa arti është mjeti që na flet të gjithëve njësoj – me ndjenjë, me respekt dhe me dashuri për jetën,” tha ajo, duke falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të komunitetit rom në Kosovë.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme