Oferta e Chelseat nuk e lëkundë Ajaxin – kërkohen edhe 20 milionë euro tjera

Chelsea ka bërë lëvizjen e parë për mbrojtësin e talentuar të Ajaxit, Jorrel Hato, por miliona euro i ndajnë klubet për arritjen e marrëveshjes.

Blutë kanë ofruar 40 milionë euro për 19-vjeçarin që po shkëlqen me klubin e madh holandez, por Ajax nuk është bindur – pasi ata duan të paktën 60 milionë euro për yllin e akademisë.

Hato tashmë ka rënë dakord me Chelsean për kushtet personale dhe i ka bërë të qartë Ajaxit dëshirën për t’u transferuar në Londër.

Por negociatat mes klubeve janë ende larg përmbylljes, pasi Ajax qëndron fort në vlerësimin e tij, shkruan De Telegraaf.

Klubi anglez po nxiton të mbyllë marrëveshjen përpara nisjes së sezonit në Ligën Premier. Ata besojnë se Hato mund të jetë një nga shtyllat e mbrojtjes për vitet në vijim. Megjithatë, kjo nuk është përpjekja e parë. Chelsea tentoi ta merrte Haton edhe në dhjetor, por u përball me kufizimet e “Fair Play Financiar”.

Tani janë kthyer më të vendosur, por oferta aktuale nuk bind drejtuesit e Ajaxit.

Ish-ylli i Chelseat dhe Holandës, Boudewijn Zenden, është i bindur se holandezi i ri është gati për Angli, por i jep edhe këshilla.“Hato është gati për Ligën Premier. Ka trup, mendje dhe qetësi. Por para se të firmosë, duhet të kuptojë mirë rolin që do ketë, duke biseduar me trajnerin Enzo Maresca. Ai duhet të mos ndjekë vetëm paratë, por një projekt që i jep hapësirë dhe zhvillim”, deklaroi Zenden.

Kategoritë
LajmeSport