“Nuk do t’jua lejojmë këtë”: Turqia i dërgon paralajmërim të ashpër Izraelit, akuza të rënda pas përshkallëzimit në Siri

Turqia të mërkurën hodhi poshtë ashpër pretendimet e zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me Sirinë, duke thënë se deklaratat synojnë vetëm justifikimin e sulmeve ajrore “të paligjshme” izraelite, të cilat cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi.

“Akuzat joserioze të paraqitura nga zyra e kryeministrit izraelit synojnë të legjitimojnë sulmet ajrore të paligjshme të Izraelit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimeve të Republikës së Turqisë.

Reagimi i ashpër i Ankarasë vjen pasi avionët luftarakë izraelitë kryen të martën tetë sulme ajrore ndaj pistës së aeroportit ushtarak Abu al-Duhur në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake.

Më herët, zyra e Netanyahut kishte deklaruar se Izraeli dhe Siria kishin arritur një “status quo” në çështjet e sigurisë, por se Siria ishte “në prag të shkeljes së marrëveshjes duke lejuar trupat turke të vendoseshin në një bazë ajrore pranë Alepos”.

Izraeli pretendon se e kishte paralajmëruar disa herë Sirinë se një veprim i tillë do të përbënte kërcënim për sigurinë e tij, por se paralajmërimet ishin injoruar.

“Izraeli nuk do të tolerojë kërcënime ndaj sigurisë së tij dhe do ta mirëprisnim rikthimin në status quo”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Nga ana tjetër, Ankaraja zyrtare thekson se këto akuza burojnë vetëm nga synimi i Netanyahut për të vazhduar politikën e tij “ekspansioniste dhe destabilizuese” në rajon, me qëllim të përfitimit të pikëve politike para zgjedhjeve të ardhshme në Izrael.

“Ashtu si shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, Turqia angazhohet për paqe të qëndrueshme në rajonin tonë. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është që Netanyahu të heqë dorë nga politika e tij agresive e imponimit dhe të tregojë respekt për të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e qeverisë turke.

Në fund, Turqia ritheksoi angazhimin e saj për bashkëpunim me qeverinë në Damask, me synim promovimin e paqes dhe prosperitetit në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Turqia do të vazhdojë me vendosmëri bashkëpunimin me qeverinë siriane mbi baza legjitime për vendosjen e paqes dhe stabilitetit dhe nuk do të lejojmë kurrë një destabilizim të ri të Sirisë”, përfundon deklarata.

Kategoritë
BotaLajme