Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje atasheun ushtarak të Turqisë në Shqipëri, Kolonel Tolga Kip, në mbyllje të mandatit të tij.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje atasheun ushtarak të Turqisë në Shqipëri, Kolonel Tolga Kip.
I pranishëm gjatë takimit dhe dhënies së certifikatës së mirënjohjes ishte edhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi ka shkruar se Shqipëria dhe Turqia janë aleate në NATO dhe partnere strategjike që sipas tij vijojnë të ndërtojnë një bashkëpunim të ngushtë.
“Në mbyllje të mandatit të tij në vendin tonë, atasheu ushtarak i Turqisë në Shqipëri, Kolonel Tolga Kip u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje për kontributin e tij të veçantë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Turqisë si dhe në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Nufi.
Ministri Nufi ka theksuar ndër të tjera se “Shqipëria dhe Turqia, aleate në NATO dhe partnere strategjike, vijojnë të ndërtojnë një bashkëpunim të ngushtë, të bazuar në besim të ndërsjellë dhe mbështetje konkrete për modernizimin e Forcave të Armatosura, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, trajnimin e personelit dhe koordinimin në kuadër të misioneve ndërkombëtare”.










