NJË GJË të tillë do ta prisnim në Afganistan ose Jemen, por një qytet në Izrael dëshiron që në dy rrugë të vendosen barriera fizike për të përcaktuar se ku do të ecin gratë dhe ku burrat. Ndërkohë, në prag të zgjedhjeve, edhe parlamenti synon të mundësojë rregulla të tjera të ngjashme, shkruan “Deutsche Welle”.
Plani i autoriteteve të qytetit Bnei Brak, pranë Tel Avivit, për t’i ndarë fizikisht burrat dhe gratë në dy rrugë, ka shkaktuar një debat të ashpër publik, i cili ka jehuar shumë përtej kufijve të kësaj qendre ultraortodokse.
Sipas raportimeve lokale, qyteti kishte nisur punimet për zgjerimin e trotuareve, vendosjen e rrethojave dhe shenjave të komunikacionit për ndarjen gjinore. Pas kritikave të ashpra, punimet u ndërprenë, ndërsa shenjat e vendosura më parë u hoqën.
Izraelitët më liberalë druhen se ky rast mund të shndërrohet në precedent, i cili para zgjedhjeve të vjeshtës do ta forconte edhe më tej ndikimin e qarqeve të ashpra ortodokse.
Zakoni fetar si arsyetim
Shkak për ndarjen e planifikuar janë sallat e ceremonive në lagjen e diskutueshme, të cilat, për shembull gjatë dasmave, shpesh janë të mbushura plot.
Rabinët lokalë dëshironin t’u mundësonin mysafirëve që të mbërrinin në salla të ndarë paraprakisht sipas gjinisë, në përputhje me zakonet fetare.
Kritikat u nxitën nga fakti se paratë publike do të shpenzoheshin për vendosjen e një ndarjeje të përhershme gjinore në hapësirën publike.
E përballur me kritikat, administrata e qytetit e zbuti qëndrimin. Tani ajo pretendon se synimi kishte qenë vetëm përshtatja e infrastrukturës për shkak të turmave dhe thekson se ndarja sipas gjinisë nuk është as urdhër zyrtar dhe as rregull politik i qytetit.
Ndarja gjinore nuk është e pazakontë në judaizmin ortodoks. Në sinagoga ekzistojnë hapësira të veçanta, ndërsa besimtarët shumë fetarë shmangin edhe shtrëngimin e duarve me persona të gjinisë së kundërt.
Megjithatë, Deklarata izraelite e Pavarësisë e vitit 1948 garanton barazi politike dhe shoqërore për të gjithë qytetarët, pavarësisht gjinisë.
Duke u bazuar në këtë parim, gjykatat deri më tani kanë rrëzuar përpjekjet për vendosjen e ndarjes gjinore në hapësirat publike.
Në një vendim precedent të vitit 2011, Gjykata Supreme konstatoi se në linjat e rregullta të autobusëve nuk mund të urdhërohet ndarja e udhëtarëve sipas gjinisë.
Në vitin 2017, Gjykata e zgjeroi këtë interpretim edhe për hapësirën publike në përgjithësi, kur urdhëroi qytetin Beit Shemesh të hiqte shenjat që u përcaktonin grave mënyrën e veshjes dhe të lëvizjes.
Ligje të reja dhe ndryshime në universitete
Ndërsa kundërshtarët e ndarjes gjinore në Bnei Brak kanë paraqitur një padi urgjente në Gjykatën Supreme, barazia në të njëjtën kohë po vihet në pikëpyetje edhe në nivelin legjislativ.
Të enjten e kaluar, Kneseti miratoi një ligj që u jep universiteteve dhe shkollave të larta të drejtën të organizojnë studime master dhe doktorature ndaras për burra dhe gra.
Deri më tani, një gjë e tillë ishte e mundur vetëm në disa programe të studimeve themelore.
Institucionet e arsimit të lartë protestuan kundër ligjit, pasi vlerësojnë se ai mund t’i dëmtojë standardet akademike, për shembull në mjekësi, si dhe t’ua vështirësojë grave qasjen në profesionet me specializim të lartë.
Ky ishte një nga votimet e fundit para shpërndarjes së Knesetit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për 27 tetor.
Koalicioni në largim i krahut të djathtë, fetar dhe nacionalist, i drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, miratoi gjithashtu një sërë ligjesh të tjera të diskutueshme.
Janë kufizuar kompetencat mbikëqyrëse të Prokurores së Përgjithshme ndaj qeverisë, ndërsa ligji i ri për mediat, sipas kritikëve, i jep qeverisë ndikim më të madh.
Përfshirja e studimit të Torës në Kushtetutë mund të çojë në përjashtimin e përhershëm të burrave ultraortodoksë nga shërbimi ushtarak, çështje kjo që prej vitesh është një nga temat kryesore të debatueshme në shoqërinë izraelite.
Gjithçka tregon se debatet për çështjet themelore të bashkëjetesës shoqërore do ta karakterizojnë fushatën e parë kombëtare zgjedhore pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023.



















