Në qytetin e qetë bregdetar Fujisawa, rreth një orë udhëtim në jug të Tokios, është planifikuar ndërtimi i xhamisë së parë.
Kjo ngjarje, e cila në pamje të parë duket lokale, ka nxjerrë në pah shqetësimet në rritje të shoqërisë japoneze përballë shtimit të numrit të emigrantëve, mungesës së fuqisë punëtore dhe plakjes së shpejtë të popullsisë, shkruan BBC.
Fusha që sot është e mbuluar me bar pritet së shpejti të shndërrohet në një objekt fetar islam. Debati që po zhvillohet në qytete si Fujisawa prek në fakt vetë thelbin e mënyrës se si Japonia e sheh të ardhmen e saj.
Edhe pse emigracioni mbetet një çështje politikisht e ndjeshme, Japonia po mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët e huaj për të plotësuar vendet e lira të punës. Kjo sjell me vete edhe prani më të madhe të kulturave, gjuhëve dhe feve të ndryshme.
“Për këtë arsye shqetësohem se si mund të ndryshojë komuniteti ynë”, thotë Noriko Izumizawa, banore prej shumë vitesh në Fujisawa.
Në fillim të këtij viti, në stacionin lokal hekurudhor shpërthyen protesta, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë. Disa prej kundërshtarëve pretendojnë se përmasat e xhamisë, e cila do të ishte dukshëm më e madhe se faltorja e afërt shintoiste, përbëjnë mungesë respekti.
Janë regjistruar gjithashtu raste të gjuhës së urrejtjes, telefonatave fyese dhe përhapjes së dezinformatave në rrjetet sociale, gjë që ka nxitur edhe kundërprotesta nga grupe që bëjnë thirrje për tolerancë.
Nga ana tjetër, Hiroki Suzuka, pronar i një kafeneje përballë vendit ku planifikohet ndërtimi, bën thirrje për uljen e tensioneve.
“Nuk jam veçanërisht kundër, por nuk do të thosha as se jam fuqishëm pro. Mendoj se hapi i parë është të mësojmë më shumë se çfarë është Islami, çfarë njerëzish janë ata dhe çfarë vlerash kanë. Gjithçka fillon me një mendje të hapur”, thekson Suzuka.
Në fund të vitit 2024, në Japoni jetonin rreth 420 mijë myslimanë, një rritje e ndjeshme krahasuar me rreth 230 mijë në vitin 2019.



















