Një dron izraelit (UAV) është rrëzuar në selinë e Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në vendbanimin Naqoura në jug të Libanit
Një dron izraelit (UAV) është rrëzuar në selinë e Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në vendbanimin Naqoura në jug të Libanit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e UNIFIL-it, Candice Ardell në një deklaratë me shkrim tha: “Paqeruajtësit e specializuar në asgjësimin e municioneve shpërthyese izoluan menjëherë dronin dhe siguruan mjedisin përreth. Një ekzaminim zbuloi se ishte i paarmatosur, por i pajisur me një kamerë”.
Ajo tha se ushtria izraelite konfirmoi se droni u përkiste atyre, duke shtuar: “Derisa paqeruajtësit janë të përgatitur të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi për sigurinë e tyre, ky dron u rrëzua spontanisht”.
“Ashtu si me të gjithë dronët izraelitë dhe sulmet e tjera ajrore që synojnë Libanin jugor, kjo është shkelje e Rezolutës 1701 dhe sovranitetit libanez”, tha Ardell duke theksuar se UNIFIL ka protestuar zyrtarisht ndaj këtij incidenti.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së nëpërmjet Rezolutës 1701 të miratuar në vitin 2006, i dha fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe bëri thirrje për armëpushim të përhershëm dhe një zonë tampon. Forca e UNIFIL-it u caktua në një maksimum prej 15 mijë pjesëtarësh.
Sulmet e Izraelit ndaj Libanit, të nisura në tetor 2023 u përshkallëzuan në luftë të plotë në shtator 2024, duke rezultuar në vdekjen e më shumë se 4.000 personave dhe plagosjen e afërsisht 17 mijë të tjerëve. Pavarësisht armëpushimit të arritur në nëntor 2024, Izraeli zyrtarisht ka regjistruar mbi 4.500 shkelje, duke rezultuar në të paktën 276 vdekje dhe 613 plagosje.
Për më tepër, Izraeli ende mban pesë kodra libaneze që ka pushtuar në luftën e fundit, përveç territoreve që ka pushtuar për dekada të tëra.