Autoritetet egjiptiane njoftuan para pak ditësh se një byzylyk i rrallë faraonik prej ari, i vjetër mbi 3000 vjet, ishte zhdukur nga Muzeu Egjiptian në Kajro. Tani është zbuluar se vjedhjen e kreu një punonjëse e muzeut, e cila e shiti atë për më pak se 4.000 dollarë.
Pjesa e çmuar e bizhuterisë i përkiste faraonit Amenemope nga periudha e tretë ndërmjetëse, i cili sundoi rreth vitit 1000 para Krishtit.
Por byzylyku nuk u gjet kurrë – ai përfundoi i shkrirë dhe përgjithmonë i humbur.
Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit, më 9 shtator, punonjësja e restaurimit e nxori byzylykun nga kasa e laboratorit të muzeut dhe ia dha një të njohuri me dyqan në Kajro. Ky e shiti më pas pronarit të një punishteje ari për rreth 3.800 dollarë. Ai e rishiti për 4.000 dollarë tek një tjetër argjendar, i cili e shkrini për ta kthyer në stoli të tjera.
Ministria e Brendshme publikoi edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihet pronari i dyqanit duke marrë byzylykun, duke e peshuar dhe duke paguar njërin prej të dyshuarve.
Të gjithë të përfshirët janë arrestuar dhe paratë e shitjes janë sekuestruar.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale, sidomos pasi autorja e vjedhjes ishte specialiste e restaurimit dhe nuk e kuptoi vlerën e vërtetë historike të artefaktit.
Shumë komentues shprehën trishtim që një objekt i cili kishte “mbijetuar” për mbi 3000 vjet, tashmë është zhdukur përgjithmonë.