Nënkryetarja e Prishtinës pas shkarkimit të Musliut: Revanshi i Ramës ka emër, Badovc

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka reaguar pasi Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka marrë vendim për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun i cili vjen nga radhët e PDK-së.

Sahatçiu e cila po ashtu është pjesë e PDK-së, e ka quajtur këtë vendim të Ramës revansh të pastër.

“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale. “, ka shkruar ajo.
Më tej nënkryetarja e Prishtinës ka thënë se arsyet pse Rama shkarkoi Musliun janë pasi PDK nuk do të mbështet propozimin për këmbim pronash në Badovc.

“Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik. Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun i’u bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik.”, ka përfunduar ajo.

Rama ka thënë se ky vendimi për shkarkimin e Musliut ka ardhur si pasojë e gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

Kategoritë
LajmeVendi