Ndërprerja ka ndodhur si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të disa prej linjave kryesore që ofrojnë shërbim komunikimi dhe interneti në rajon
Qasja në internet dhe komunikim thuhet se është ndërprerë në zonat veriore të Rripit të Gazës, e cila ndodhet nën sulmet e Izraelit, raporton Anadolu.
Një deklaratë me shkrim nga kompanitë palestineze të telekomunikacionit thuhet se shërbimet fikse të internetit dhe komunikimit janë ndërprerë në Qytetin e Gazës dhe në Guvernatoratin Verior, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, ku Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij duke e mbajtur atë nën bllokadë.
Ndërprerja ka ndodhur si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të disa prej linjave kryesore që ofrojnë shërbim komunikimi dhe interneti në rajon, njoftohet në deklaratën ku vihet në dukje se ata kanë filluar punën për të rivendosur linjat për shkak të rreziqeve të paraqitura nga sulmet e vazhdueshme izraelite.
Dëshmitarët okularë që folën Anadolu transmetuan se shërbimi i internetit është ndërprerë në shumë zona të Qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite njoftoi se pjesa më e madhe e 50 sulmeve ajrore të nisura kundër Rripit të Gazës gjatë natës u kryen ndaj qytetit të Gazës në veri ndaj të cilit dje filluan sulmet tokësore.
Izraeli në njërën anë po shënjestron dhe shkatërron shtëpitë dhe ndërtesat shumëkatëshe në Gaza ku strehohen palestinezët e zhvendosur, ndërsa në anën tjetër ai po përpiqet gjithashtu të dëbojë banorët e qytetit duke pretenduar se në jug të Rripit të Gazës ka tenda, ushqim dhe spitale.
Ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 65 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe ekspertët kanë shpallur zi buke në enklavën palestineze.