Ushtria izraelite në sulmet mbi qytetin Gaza po zbaton shkatërrim sistematik të lagjeve të banuara duke përdorur shpërthime të pajisjeve eksplozive, si pasojë e të cilave janë vrarë të paktën 31 palestinezë dhe një numër i madh të tjerë janë plagosur.
Në periferi të Gazës, ushtria izraelite po vazhdon shkatërrimin sistematik të ndërtesave të banimit duke përdorur transporterë M113 si bomba të telekomanduara me fuqi të madhe shkatërruese.
Në fakt, transporterët e telekomanduar mbushen me depozita uji brenda të cilave vendoset eksploziv që aktivizohet pranë objekteve të banimit.
Nga shpërthimet e aktivizuara nga ushtarët izraelitë ka humbur jetën një numër i madh civilësh, dhe sipas të dhënave të mediave arabe, në një shpërthim të tillë gjatë ditës së djeshme ka humbur jetën një grua shtatzënë bashkë me dy fëmijët e saj.
Nga ana tjetër, mediat dhe opinioni publik izraelit i konsiderojnë të gjitha viktimat e fushatës më të re mbi qytetin Gaza si pjesë të një “operacioni kundërterrorist”.
Njësitë e blinduara të ushtrisë izraelite po përparojnë nëpër periferi juglindore të qytetit Gaza, të shoqëruara nga këmbësoria dhe buldozerë që po shkatërrojnë infrastrukturën e mbetur.
Ofensiva izraelite me brutalitetin e saj edhe një herë konfirmon synimet e kabinetit ushtarak izraelit që, përmes shkatërrimit fizik të Rripit të Gazës, të vendosë administratë ushtarako-policore mbi territorin e mbetur.