Në Malishevë u vu gurthemeli i Xhamisë së Gurit, synohet të bëhet qendër e rëndësishme fetare dhe shoqërore

Me një ceremoni solemne, sot në qendër të Malishevës është vënë gurthemeli i Xhamisë së Gurit, një projekt që synon të shndërrohet në një nga hapësirat e rëndësishme të jetës fetare, edukative dhe shoqërore të qytetit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë qytetarë të shumtë, përfaqësues të institucioneve komunale dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kompleksi, përveçse do të shërbejë si vend faljeje dhe adhurimi, është paraparë të ketë edhe funksion edukativ e shoqëror, duke ofruar hapësira për mësim, solidaritet dhe aktivitete në shërbim të komunitetit.

Në ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe Bashkësisë Islame.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Myftiu Naim ef. Tërnava e cilësoi ndërtimin e xhamisë si një vepër të rëndësishme për Malishevën.

“Dua t’ju uroj për këtë xhami që do ta shndrisë Malishevën. Xhamia kurrë s’ka qenë e afërt me radikalizmin. Xhamia dhe Islami janë paqe, janë mëshirë”, tha Tërnava.

Ai shprehu dëshirën që projekti të përfundojë sa më shpejt dhe të vihet në shërbim të qytetarëve dhe besimtarëve, duke kontribuar në forcimin e vlerave të besimit, edukimit dhe solidaritetit.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, tha se vendosja e gurthemelit shënon realizimin e një ëndrre të kahmotshme.

“Sot, në këtë truall, po i japim drejtim një ëndrre. Po vendosim pikën e parë të një vepre që nesër do të jetë qendër e faljes, mësimit, ndihmës dhe solidaritetit”, tha ai.

Edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, e vlerësoi fillimin e ndërtimit si një moment të rëndësishëm për komunitetin, duke bërë thirrje për mbështetje në përfundimin dhe funksionalizimin e objektit.

Ndërkaq, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se bëhet fjalë për një ditë të veçantë për Malishevën. Ai kujtoi edhe rolin e imamëve dhe institucioneve fetare në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës, përfshirë kontributin në çlirimin dhe shtetndërtimin e vendit.

Ceremonia u shoqërua me thirrje për solidaritet dhe kontribut në realizimin e projektit.

Me vendosjen e gurthemelit të Xhamisë së Gurit, Malisheva nisi një projekt që synon të ndërthurë adhurimin, edukimin dhe shërbimin ndaj komunitetit, duke promovuar vlerat e besimit, dijes, paqes dhe solidaritetit.

Kategoritë
LajmeVendi