“Sot i japim fund një pritjeje që zgjati 81 vjet. E drejta për një varr është e drejtë njerëzore, ndërsa e drejta e familjeve dhe e popujve për të ditur se ku prehen të vdekurit e tyre është detyrim qytetërues i çdo shteti të rregullt”, tha ministri kroat Medved.
Në Donji Macelj, të shtunën u mbajt ceremonia përkujtimore dhe lamtumira e fundit për 500 viktima kroate, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën nga katër varreza masive në territorin e Sllovenisë.
Në ceremoni mori pjesë zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe ministri i Veteranëve Kroatë, Tomo Medved. Pas meshës përkujtimore u zhvilluan ritet e varrimit, me bekimin e arkivoleve dhe lutje. Në shenjë nderimi u vendosën kurora dhe u ndezën qirinj.
Mbetjet mortore u gjetën në varrezat masive në Trebče, ku u gjetën 10 viktima, Podstenice/Rugarski klanci me 22 viktima, Košnica pri Celju me 307 viktima dhe Cerklje ob Krki me 161 viktima.
Në mbetjet mortore janë konstatuar gjurmë të shumta të vdekjes së dhunshme, përfshirë fraktura të shumëfishta, lëndime të shkaktuara nga goditje me mjete të forta, si dhe plagë nga armët e zjarrit. Sipas autoriteteve kroate, bëhet fjalë kryesisht për burra të rinj, mes të cilëve kishte edhe të mitur.
Medved kujtoi se përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për mijëra ushtarë dhe civilë kroatë nuk nënkuptoi paqe, por fillimin e asaj që ai e quajti “Rruga e Kryqit”. Të burgosurit kalonin nëpër Slloveni dhe Kroaci, ndërsa shumë vende ku ata humbën jetën u shndërruan në pyje, galeri minierash, kanale dhe gropa.
“Sot i japim fund një pritjeje që zgjati 81 vjet. E drejta për një varr është e drejtë njerëzore, ndërsa e drejta e familjeve dhe e popujve për të ditur se ku prehen të vdekurit e tyre është detyrim qytetërues i çdo shteti të rregullt”, tha Medved.
Ai bëri të ditur se Ministria kroate e Veteranëve, që nga viti 2016, ka kryer 635 inspektime në terren, ka hetuar 96 lokacione dhe ka gjetur mbetjet mortore të së paku 2.300 viktimave.
Ndër lokacionet e hetuara janë Jazovka, Gračani, Gospić, Brdovec, Tuškanac, Macelj, Senj, Garešnica, Sveta Nedelja dhe Novi Marof.
Medved falënderoi Slloveninë për bashkëpunimin që mundësoi transferimin në Kroaci të mbetjeve mortore të 500 viktimave.
“Kufiri i ndau pas vdekjes. Macelj sot i bashkon sërish. I vranë dhe më pas u përpoqën të fshinin çdo gjurmë se kishin ekzistuar ndonjëherë. Sot dëshmojmë se nuk ia dolën; i gjetëm dhe i kthyem në Kroaci”, tha ai.
Ai theksoi se kërkimet për varreza masive do të vazhdojnë si në territorin e Kroacisë, ashtu edhe në Slloveni, ndërsa kërkimi për 1.725 persona të zhdukur gjatë Luftës së Atdheut mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Veteranëve Kroatë.
Meshën përkujtimore dhe ceremoninë e fundit të varrimit e udhëhoqi ordinar ushtarak i Kroacisë, monsinjor Jure Bogdan, i cili në predikimin e tij tha se mbetjet mortore të viktimave “dalin nga nëntoka, dalin në dritë, flasin në heshtje, bëjnë pyetje dhe kërkojnë përgjigje”.
Bogdan tha se pas shumë dekadash viktimat më në fund fitojnë të drejtën për një varr, përkujtim përmes lutjes dhe dinjitet njerëzor.
“Me varrimin e sotëm, këtyre të ndjerëve ua kthejmë atë që u takon. Nuk janë më eshtra të fshehura dhe të harruara, por njerëz të ndjerë, persona për të cilët lutemi në një vend konkret dhe të cilëve u shprehim nderim”, tha Bogdan.


















