Në Kroaci arrestohet i dyshuari për sabotimin e Nord Stream: Vendoste eksploziv gjatë zhytjeve

Prokuroria Federale e Gjermanisë ka konfirmuar arrestimin në Kroaci të një shtetasi ukrainas, i cili dyshohet se ka qenë një nga aktorët kryesorë të sulmit terrorist dhe shpërthimeve nënujore në gazsjellësit Nord Stream në vitin 2022.

Shtetasi ukrainas Vladimir Z., mbiemri i të cilit nuk është bërë publik në përputhje me rregullat gjermane për privatësinë, u arrestua në Pula të Kroacisë. Arrestimi u krye nga policia lokale në bazë të një urdhërarresti evropian.

Shpërthimet nënujore të 26 shtatorit 2022 dëmtuan gazsjellësit e ndërtuar për transportimin e gazit natyror rus drejt Gjermanisë përmes Detit Baltik.

Dëmtimi i gazsjellësve rriti edhe më shumë tensionet lidhur me luftën në Ukrainë, në një kohë kur vendet evropiane po ndërmerrnin hapa për të reduktuar varësinë nga burimet ruse të energjisë pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Sipas DW, Prokuroria Federale në Karlsruhe, e cila është përgjegjëse për veprat penale të drejtuara kundër rendit kushtetues, në urdhërarrest ka theksuar se Vladimir Z. është zhytës i trajnuar dhe se i përkiste një grupi personash të mbledhur rreth Serhij K., ndaj të cilit po zhvillohet një procedurë e veçantë.

Ky grup dyshohet se në shtator të vitit 2022, pranë ishullit danez Bornholm në Detin Baltik, vendosi mjete shpërthyese në gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”.

I dyshuari thuhet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në zhytjet e nevojshme për vendosjen e eksplozivit.

Për transport, ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën një jaht me vela që ishte nisur nga porti gjerman i Rostockut. Jahti ishte marrë më parë me qira nga një kompani gjermane përmes ndërmjetësve dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Mjetet shpërthyese u detonuan më 26 shtator 2022, duke shkaktuar dëme të rënda në të dy gazsjellësit.

Pas ekstradimit nga Kroacia, i dyshuari pritet të paraqitet para gjyqtarit hetues të Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe.

Ndaj Serhij K., për të cilin po zhvillohet një procedurë e veçantë, Prokuroria Federale ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës së Lartë Rajonale Hanseatike në Hamburg.

Sipas mediave gjermane, bëhet fjalë për një shtetas ukrainas të cilin autoritetet gjermane e kishin lokalizuar në Poloni që vitin e kaluar. Megjithatë, autoritetet polake refuzuan ta arrestonin dhe ta ekstradonin në Gjermani, gjë që shkaktoi tensione diplomatike mes Berlinit dhe Varshavës.

Kategoritë
LajmeRajoni