Studentët dhe qytetarët edhe sot kanë nisur me bllokimin e rrugëve në mbarë Serbinë.
Sipas mediave serbe, që nga mëngjesi kanë filluar bllokada në Çaçak, Pançevë, por edhe në disa lokacione në Beograd.
Studentët kanë bllokuar rrugën kryesore në Zemun, duke vendosur gardh metalik, kontejnerë dhe goma pranë Fakultetit të Bujqësisë. Menjëherë pas kësaj kanë ardhur rreth 20 policë me maska në kokë, të cilët u kanë dhënë studentëve “dy minuta” për t’i hequr bllokadat, duke i kërcënuar se përndryshe do t’i heqin vetë.
Pasi të pranishmit refuzuan të largojnë bllokadat, policët nisën t’i largojnë vetë. Studentët dhe qytetarët e mbledhur theksuan se nuk kanë ndërmend të largohen dhe se do t’i rikthejnë bllokadat sapo të kenë mundësinë.
Ndërkohë, policët i kanë larguar edhe bllokadat në Pançevë.
Më vonë, studentët dhe qytetarët kanë bllokuar rrugën para Gjimnazit të Parë në Beograd.
Kujtojmë se të shtunën në Beograd u mbajtën protesta të mëdha që përfunduan me dhunë. U plagosën dhjetëra persona dhe po aq u arrestuan.
Protestat vazhduan edhe të dielën, kur u bllokuan disa kryqëzime kryesore në Beograd, dhe disa persona u arrestuan edhe atë ditë.