Izraeli ndërpreu furnizimin me energji elektrike në Gaza, në masën e fundit për të forcuar bllokadën mbytëse në enklavën palestineze, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe të shkëmbimit të të burgosurve
Një zyrtar lokal në Rripin e Gazës ka paralajmëruar se ndërprerja e energjisë elektrike nga Izraeli në Rripin e Gazës do të përkeqësojë krizën e ujit në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.
Dje, Izraeli ndërpreu furnizimin me energji elektrike në Gaza, në masën e fundit për të forcuar bllokadën mbytëse në enklavën palestineze, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe të shkëmbimit të të burgosurve.
Ndërprerja e energjisë pasoi një vendim izraelit të javës së kaluar për ndalimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza, duke nxitur paralajmërime nga grupet lokale dhe të të drejtave të njeriut për një kthim në uri të përhapur për popullsinë palestineze.
“Ndërprerja e energjisë elektrike në impiantin e shkripëzimit të Gazës redukton ujin e freskët që arrin në Gazën qendrore dhe jugore me 70 për qind” tha Nizar Ayyash, i cili drejton komunën Deir al-Balah në Gazën qendrore.
Ayyash tha se tetë nga 19 puse të ujit në Deir al-Balah kanë ndaluar funksionimin për shkak të bombardimeve izraelite.
“Ne po punojmë pa u lodhur për të siguruar ujë për rreth 100 mijë njerëz në Deir al-Balah”, tha Ayyash, duke paralajmëruar se mungesa e karburantit për shkak të mbylljes së kalimeve të Gazës nga Izraeli paraqet “një fatkeqësi mjedisore në të gjitha zonat e enklavës”.
Të paktën 48.500 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, në luftën brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Sulmet u ndërprenë në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila hyri në fuqi në muajin janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.