



Reagimi i Aleancës erdhi pas raportimit të Financial Times se Irani dyshohet se kishte shqyrtuar mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake amerikane në Evropë, nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do ta përshkallëzonte më tej luftën.
Një zyrtar i NATO-s, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se Aleanca është e gatshme të veprojë për të mbrojtur të gjitha vendet anëtare. Në deklaratën e tij, ai rikujtoi reagimin e mëparshëm të mbrojtjes ajrore të NATO-s në Turqi.
Sipas të njëjtit zyrtar, pozicioni mbrojtës i NATO-s e ka dëshmuar edhe më parë efektivitetin e tij.
“Siç u dëshmua në fillim të këtij viti, kur mbrojtja ajrore e NATO-s, në katër raste të ndara, interceptoi me sukses raketa balistike nga Irani që po fluturonin drejt Turqisë, kapacitetet tona të parandalimit dhe mbrojtjes janë të fuqishme dhe efektive”, deklaroi zyrtari i NATO-s.
Reuters raporton se deklarata u dha në përgjigje të pyetjeve lidhur me kërcënimin e mundshëm ndaj objektivave në Evropë, por pa dhënë detaje të tjera për masa konkrete të mundshme apo vlerësime të reja të sigurisë.