Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.
“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.
“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.
I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.
Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, tha se rritja e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës tha se kërkesa e kryeministrit lidhet me “situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë”.
Ekzekutivi shtoi se rritja e prezencës së KFOR-it, do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.
Ai tha se situata në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – mbetet e tensionuara dhe se, sipas tij, ka dyshime për infiltrime të individëve dhe grupeve të rrezikshme, sidomos të atyre të lidhura me Rusinë.
Në fundin e dhjetorit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Rusinë se po nxit Serbinë që të destabilizojë Kosovën. Por, këto akuza të Sveçlës u hodhën poshtë nga Kremlini zyrtar.
Ndërkaq, Ibishi shtoi se çdo rritje e kapaciteteve të KFOR-it, do të ishte një garanci më e madhe për paqe, jo vetëm në Kosovë, por për tërë Ballkanin Perëndimor.
Gjatë kohës kur barrikadat ishin të vendosura në veri të Kosovës, Serbia ngriti në gjendjen më të lartë të gatishmërisë ushtrinë e saj.
Megjithatë, KFOR-i tha se Serbia ka të drejtë të kryejë lëvizje ushtarake në territorin e saj, por duhet të qëndrojë larg territorit të Kosovës për të paktën 1 kilometër e gjysmë.
Këtë shkelje, sipas KFOR-it, nuk e bëri ushtria serbe që u pozicionua në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë.
Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua në pjesën e dytë të vitit 2022.
Si të dyshuar për organizimin e sulmeve, Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq. Autoritetet thanë se ai dyshohet për veprime terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Për 20 ditë rresht, grupe të serbëve qëndruan në barrikada duke bllokuar qarkullimin.
Për shkak të bllokimit të rrugëve në veri, forcat e rendit e kishin të pamundur ta transferonin Pantiqin në një qendër ndalimi. Ai u mbajt në stacionin policor në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë deri më 28 dhjetor, kur Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë ia zëvendësoi masën e paraburgimit më atë të arrestit shtëpiak.

