Nancy Pelosi njofton tërheqjen nga politika: Për dekada ishte një nga figurat më të fuqishme në SHBA

Nancy Pelosi, ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga politika, duke i dhënë fund një karriere shumëdekadëshe në të cilën ajo u bë një nga gratë më me ndikim në historinë politike amerikane.

Në një videomesazh të publikuar sot, Pelosi deklaroi se nuk do të kandidojë për rizgjedhje në fund të mandatit të saj, në janar 2027, duke mbyllur kështu kapitullin e saj si përfaqësuese e Kalifornisë në Kongres.

Pelosi, e cila u bë gruaja e parë që drejtoi Dhomën e Përfaqësuesve, ishte lidere e Partisë Demokratike në këtë dhomë nga viti 2003 deri në 2023, duke luajtur rol kyç në miratimin e reformave të mëdha ligjore gjatë presidencave të Barack Obamës dhe Joe Bidenit.

“Ndërsa ecim përpara, mesazhi im për qytetin që dua – San Franciskon – është ky: njih fuqinë tënde. Krijuam histori, përparuam dhe udhëheqëm rrugën. Duhet ta vazhdojmë këtë duke marrë pjesë aktivisht në demokracinë tonë dhe duke mbrojtur idealet amerikane që i çmojmë,” tha Pelosi në fjalimin e saj lamtumirës.

Në zgjedhjet presidenciale të fundit, Pelosi e kishte mbështetur Kamala Harris, ndërsa kishte kritikuar Joe Bidenin për rezultatet e dobëta të demokratëve:

“Bëmë fushatën më të mirë të mundshme, duke marrë parasysh se Joe Biden ishte president. Joe Biden është arsyeja e vetme pse Kamala Harris dhe demokratët humbën,” kishte thënë ajo në atë kohë.

Në vitin 2024, Pelosi u përfshi në një skandal publik pas një përplasjeje me protestues pro-palestinezë para rezidencës së saj në San Francisko. Sipas mediave amerikane, ajo kishte reaguar me shprehje raciste, duke u thënë protestuesve:

“Largohuni nga rruga ime! Kthehuni në Kinë, aty ku keni shtabin tuaj.”

Tërheqja e Nancy Pelosit shënon fundin e një epoke për politikën amerikane, pasi ajo ishte një nga figurat më të fuqishme dhe më të përfolura në Washington për më shumë se katër dekada.

Kategoritë
BotaLajme