Eksperti i sigurisë dhe themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke thënë se ky veprim nuk paraqet as prishje të raporteve dhe as dobësim të aleancës mes dy vendeve.
“Pezullimi i përkohshëm i dialogut strategjik Kosovë–ShBA nuk është as prishje e raporteve dhe as dobësim i aleancës sonë – janë gjëra që ndodhin mes partnerëve. Marrëdhëniet Kosovë–ShBA kurrë s’kanë qenë më të forta: Amerika është mbështetësja më e madhe e sovranitetit tonë, ndërsa Kosova ka popullin më pro-amerikan në botë,” ka shkruar Musliu.
Ai theksoi se përveç bashkëpunimit politik dhe diplomatik, Kosova ka marrëveshje konkrete me SHBA-në për pajisje ushtarake moderne, përfshirë helikopterët Black Hawk, raketat Javelin, autoblindat dhe dronët Puma, si dhe programe të përbashkëta trajnimi me Gardën Kombëtare të Iowas.