



Muriqi nënvizoi se Turqia nuk është vetëm një kundërshtar për të, por një vend që ka pasur rol të madh në formimin e karrierës së tij futbollistike. Ai rikujtoi se ka luajtur për shumë vite në Turqi dhe se periudhat te Giresunspor, Gençlerbirliği, Fenerbahçe dhe Rizespor kanë qenë vendimtare për arritjen e nivelit të sotëm.
“Nëse jam bërë Vedat në karrierën time, Turqia ka një pjesë të madhe në këtë”, u shpreh Muriqi, duke shtuar se si në aspektin personal ashtu edhe familjar, Turqia ka një vend të veçantë për ta.
Ai gjithashtu theksoi se kjo ndeshje për të përmban “ndjenja të përziera”, pasi në fushë do të përballet me futbollistë me të cilët më parë ka qenë bashkëlojtar, ndërsa me disa do të përballet për herë të parë si kundërshtar. Sipas tij, kjo e bën ndeshjen edhe më të veçantë.
Duke folur për vështirësinë e përballjes, ylli kosovar vuri në pah forcën e përfaqësueses së Turqisë:
“Turqia prej 24 vitesh nuk ka marrë pjesë në Kupën e Botës, dhe kjo e rrit motivimin e tyre. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Pa dyshim, Turqia është favorite.”
Megjithatë, ai theksoi se avantazhi më i madh i Kosovës është fakti që ndeshja luhet në shtëpi, duke shtuar se mbështetja e tifozëve mund të jetë vendimtare.
Kjo përballje nuk ka rëndësi vetëm në aspektin sportiv, por mbart edhe një dimension emocional, duke reflektuar lidhjet e forta dhe të përbashkëta mes dy vendeve./Gazeta e Re