Muhaxheri: Kosova sot është futur në izolim si kurrë më parë – Po paguajmë çmimin e kokëfortësisë qeveritare

Tash e sa kohë Kosova është nën sanksionet nga Bashkimi Evropian, ku së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, raporton GazetaBlic.

E njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Kosova është futur në izolim si kurrë më parë, krejt kjo sipas tij për shkak të qeverisë që me kokëfortësi e ka pridhur marrëdhënien me partnerët më të rëndësishëm.

“Kosova sot është futur në izolim si kurrë më parë me sanksione nga BE-ja dhe me pezullimin e Dialogut Strategjik nga SHBA-ja. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por për faj të qeverisë që me kokëfortësi e ka prishur marrëdhënien me partnerët tanë më të rëndësishëm. Në vend që të mbrojë interesin e qytetarëve, qeveria ka zgjedhur politikën e aventurave dhe të konfrontimit, duke na bërë të humbim miqtë që gjithmonë kanë qëndruar pranë Kosovës”, tha ai.

Muhaxheri shton se kjo situatë po e godet direkt ekonominë e vendit, i cili thekson se bizneset tona po humbasin mbështetjen dhe tregjet e BE-së.

Ai thekson se investitorët e huaj nuk vijnë në një vend që shihet i pasigurt dhe i izoluar.

“Kjo gjendje po e godet direkt ekonominë. Investitorët e huaj nuk vijnë në një vend që shihet si i pasigurt dhe i izoluar, ndërsa bizneset tona po e humbasin mbështetjen dhe tregjet e BE-së. Kur aleatet i pezullojnë marrëdheniet me Kosoven atëherë, asnjë investitor nuk rrezikon paratë e veta këtu. Kjo është arsyeja pse ekonomia jo vetëm që po ngec por po shënon regres”, theksoi ai.

Ndër të tjera ai shton se pasojat më së shumti i ndjen qytetari, ku thotë se ky është çmimi që po e paguan populli për shkak të papërgjegjësisë së qeverisë.
“Në fund, pasojat i ndien qytetari i zakonshëm: më pak vende pune, më shumë varfëri dhe më pak shpresë. Ky është çmimi që po e paguan populli për kokëfortësinë dhe papërgjegjësinë e qeverisë. Në vend se të hapë rrugë për zhvillim, kjo qeveri ia ka mbyllur derën Kosovës në sytë e botës”, përfundoi Muhaxheri për GazetaBlic.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi