“BeH jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, BeH nuk njeh asnjë dokument të qytetarëve me origjinë nga Kosova, shtetas të BeH-së”, tha Muharrem Zejnullahu, konsull nderi i Shqipërisë në BeH.
Muharrem Zejnullahu, konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), kryetar i Komunitetit të Shqiptarëve në BeH dhe ish-ambasador i parë i BeH-së në Shqipëri, konsideron se nuk ka raporte më të këqija dhe më të rrepta në botë që ekzistojnë sot dhe që janë aktuale, se sa raportet që ka BeH ndaj Kosovës.
“Sa i përket marrëdhënieve mes BeH-së dhe Kosovës, duhet të jem plotësisht i hapur dhe i drejtpërdrejt. Për fat të keq, nuk ka marrëdhënie më të këqija dhe më të rrepta në këtë rruzull tokësor që ekzistojnë sot dhe të cilat janë aktuale sesa marrëdhëniet që BeH ka me Kosovën. BeH jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, BeH nuk njeh asnjë dokument të qytetarëve me origjinë nga Kosova, shtetas të BeH-së”, tha Zejnullahu në një bisedë për Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se kur thotë se nuk njeh asnjë dokument, do të thotë se nuk njeh asnjë certifikatë të lindjes dhe vdekjes si dhe dokumente të tjera që janë me rëndësi jetike për shqiptarët që kanë rrënjë nga Kosova.
“Duke filluar me rregullimin e çështjeve të jetës dhe vendbanimit, familjare … Të mos flas për mundësinë e ardhjes së studentëve dhe regjistrimin nëpër fakultete siç ishte deri në vitin 2008. Në vitin 1999 – 2000, ne kemi pasur rreth 1.000 studentë nga Kosova të regjistruar në Universitetin e Sarajevës. Pas agresionit, ky numër u zvogëlua dhe tani nuk ka asnjë. Përveç nëse dikush nuk ka ndonjë dokument tjetër që BeH e pranon”, tha Zejnullahu.
Ai konsideron se BeH, përmes udhëheqësve të saj nga Banja Lluka, është peng i Beogradit për të ndërmarrë hapa konkretë kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kur bëhet fjalë për njohjen e dokumenteve.
“Nuk kemi asnjë shpjegim pse dokumentet nuk njihen”, tha Zejnullahu.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa Bosnjë e Hercegovina, krahas Serbisë, është i vetmi vend në rajon që nuk e ka njohur pavarësinë e këtij shteti.
Zejnullahu mendon se vendimi mbi njohjen e Kosovës në BeH do të marrë kohë.
“Derisa zyrtarët e Republikës Sërpska të kuptojnë se Kosova është një gjë e pakthyeshme dhe e përfunduar për tërë kohën, atëherë njohja e Kosovës do të jetë në rendin e ditës dhe atëherë nuk do të ketë probleme në vendosjen e disa marrëdhënieve diplomatike që aktualisht janë shumë të dëmshme si për ekonominë ashtu edhe për kulturën. Asnjëherë në jetë nuk kam qenë pesimist, madje as kur isha në disa situata të vështira në BeH”, thotë Zejnullahu.
Ai kujtoi se në cilësinë e kryetarit të Komunitetit të Shqiptarëve në BeH, ka pasur rastin të flasë me zyrtarët më të lartë shtetërorë të BeH-së.
“Ne kërkuam që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit dhe lidhjet familjare që u ndërprenë, të pranohen dhe që ne, si të gjithë shtetasit e tjerë të BeH-së, të udhëtojmë. Për fat të keq, unë asnjëherë nuk kam marrë një përgjigje nga askush”, tha Zejnullahu.
Ai po ashtu foli për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, më 14 shkurt, si dhe mënyrën se si ata do të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Shqiptarët në BeH nuk janë vetëm nga Kosova, por shumica janë prej këtij vendi. Sipas informacioneve tona, sot në BeH janë rreth 12.000 shqiptarë, ndërsa rreth 65 për qind janë nga Kosova. Sa i përket diasporës që voton për zgjedhjet e ardhshme, ky është një problem i madh. Me vendim të Komisionit Zgjedhor të Kosovës mund të votohet vetëm me postë ose personalisht. Më parë, ne që kemi dokumente të Kosovës kemi shkuar atje dhe kemi votuar. Megjithatë, tani ekziston një problem shtesë sepse gjithçka u ndal për shkak të pandemisë. Është e pamundur të votohet me postë nga BeH. Mosnjohja e Kosovës dhe dokumenteve rezulton edhe në mosbashkëpunim të institucioneve”, tha Zejnullahu.
Sipas tij, “98 për qind e shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në BeH nuk do të votojnë për këtë arsye”.
Ai konsideron se Kuvendi dhe Qeveria e re e Kosovës duhet të vazhdojnë dialogun e pashmangshëm me Serbinë, të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por gjithashtu një nga prioritetet duhet të jetë edhe zgjidhja e marrëdhënieve me BeH-në “për ta bërë jetën më të lehtë, komunikimin më të mirë midis njerëzve të të dy vendet”, gjegjësisht të dakordohet njohja e dokumenteve.
Vetë akti i njohjes hap mundësinë që studentët të vijnë në universitetet e BeH-së. Tani ne jemi kthyer më shumë në anën e Kosovës në mënyrë që ata të heqin vizat për BeH”, tha Zejnullahu.