Pas vrasjes së imamit të fshatit Zlipotok në Dragash, Gazmen Tairovci, familjarë të tij kanë dhënë detaje lidhur me rastin.
Për këtë vrasje të rëndë, janë arrestuar Beshir Hamza, si i dyshuar kryesor se ka therur me thikë imamin Tairovci, kurse edhe babai i të dyshuarit është prangosur se nuk ka ofruar ndihmë.
Familjari i viktimës, Benjamin Tairovci ka folur para gazetarëve, duke thënë se i ndjeri ka pas kërcënime të vazhdueshme nga i dyshuari.
Ai ka treguar se i ndjeri dhe i dyshuari kishin një mosmarrëveshje lidhur me shfrytëzimin e një toke, duke shtuar se viktima ka qenë i kërcënuar nga dorasi.
Sipas tij, imami ka qenë rreth 20 herë i goditur me thikë në shpinë.
“Përpara kurgjo, asnjë plagë nuk e ka pasur hoxha. E mrapa nja 20 herë, krejt shpinën e ka pas, edhe në qafë ka pas plagë. Kanë pas mosmarrëveshje më herët, amo hoxha e ka thirrë çdo herë Policinë, çështja e pronës nuk ka qenë problem shumë i madh, hoxha e ka kositë një livadh, edhe ai ka thanë sana është e jemja, hoxha i ka thanë hajt merre pra, ai djali ka dashtë edhe kalin me i marrë hoxhës”, ka thënë ai.
Familari i imamit ka thënë se edhe banorët tjerë janë kërcënuar në të kaluarën nga i njëjti person.
“Hoxha i ka lënë katër fëmijë, dy meshkuj, ku i madhi është 19-vjeçar. Ai më ka kërcënuar edhe mua më herët e disa të tjerë. Ne njihemi si familje, se fshati nuk është shumë i madh, ne besojmë tek shteti i Kosovës në këtë rast”, është shprehur ai.

















