Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se MAShT-i po shqyrton mundësinë që prindërit t’ua blejnë vet librat fëmijë, e më pas ata t’ia bartin ato në llogaritë e tyre bankare, shkruan Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, i pari i PDK-së e ka quajtur skandal një gjë të tillë dhe se sipas tij Qeveria vetëm po i varfëron qytetarët.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar ai.
Tutje, kreu i kësaj partie ka thënë se prindërit janë të pasigurt nëse do të rimbursohen ato të holla që ata do t’ua blejnë fëmijëve librat.
“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas”, ka shkruar ai, derisa e ka quajtur “paaftësi qeverisëse”.










