Mjekë ndërkombëtarë që punojnë në Gaza kanë raportuar për një model shqetësues plagësh nga armët e zjarrit tek fëmijët, duke ngritur dyshime për shënjestrim të qëllimshëm, sipas një hetimi të botuar nga e përditshmja holandeze de Volkskrant. Gazeta bisedoi me 17 mjekë dhe një infermiere nga SHBA, Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Holanda, të cilët kanë punuar në gjashtë spitale dhe katër klinika në Gaza që nga tetori 2023.
Shumë prej tyre kishin përvojë shumëvjeçare në zonat e krizave, përfshirë Sudanin, Afganistanin dhe Ukrainën.
Pesëmbëdhjetë prej tyre i thanë de Volkskrant-it se kanë trajtuar të paktën 114 fëmijë të moshës 15 vjeç ose më të vegjël me nga një plagë me armë zjarri në kokë ose në gjoks. Shumica e atyre fëmijëve vdiqën nga plagët e marra. Rastet u dokumentuan nga fundi i vitit 2023 deri në mesin e vitit 2025 në 10 institucione të ndryshme mjekësore.
Një prej mjekëve, traumatologu amerikan Feroze Sidhwa, kujtoi ditën e tij të parë në Spitalin Evropian në Gaza, në mars 2024, ku brenda 48 orëve kishte gjetur katër djem nën moshën 10 vjeç me plagë identike në kokë, sipas raportit.
“Si është e mundur që këtu, në këtë spital të vogël, brenda 48 orësh, të kenë ardhur katër fëmijë të qëlluar në kokë?”, tha ai për gazetën. Gjatë 13 ditëve në vijim, ai u përball me edhe nëntë fëmijë të tjerë me plagë të ngjashme.
Sidhwa më vonë takoi një koleg që i konfirmoi se kishte parë të njëjtat plagë “pothuajse çdo ditë” në një spital tjetër.
“Ky ishte momenti kur vendosa: Duhet të zbuloj çfarë po ndodh këtu”, tha ai.
Mjekët e intervistuar theksuan se plagë të tilla me shumë gjasë nuk janë të rastësishme. Ekspertë forenzikë, të konsultuar nga gazeta, thanë se modeli i përsëritur sugjeron zjarr të qëllimshëm, të mundshëm nga snajperë ose dronë.
Mjekët e cituar përshkruan dilemën morale me të cilën përballen: ekspozimi publik mund të nënkuptojë ndalim për t’u rikthyer në Gaza.
Sipas OKB-së, Izraeli që nga marsi 2025 ka refuzuar hyrjen e më shumë se 100 punonjësve ndërkombëtarë të shëndetësisë pa dhënë shpjegime të hollësishme.
Megjithatë, shumë prej tyre këmbëngulin se heshtja nuk është më një opsion.
“Të mos flasësh më nuk është një opsion”, tha një mjek për de Volkskrant.
Sipas organizatës Save the Children, Izraeli deri më tani ka vrarë mbi 20.000 fëmijë në Gaza në masakrën e tij që nisi në tetor 2023.