Ministrja islandeze për çështjet e fëmijëve ka dhënë dorëheqje pasi pranoi se kishte pasur një fëmijë me një adoleshent para më shumë se 30 vitesh.
Asthildur Loa Thorsdottir tha se kishte filluar një lidhje kur ishte 22-vjeçare dhe këshilltare në një grup fetar që frekuentohej nga një djalë 15-vjeçar.
Ajo lindi fëmijën kur ai ishte 16 vjeç dhe ajo 23.
“Kanë kaluar 36 vjet, shumë gjëra kanë ndryshuar. Pa dyshim që sot do të veproja ndryshe në lidhje me këtë çështje,” u shpreh ajo për mediat islandeze.
Kryeministrja e Islandës, Kristrun Frostadottir, reagoi në lidhje me këtë situatë duke u thënë gazetarëve se kjo është “një çështje serioze”.
“Kjo është një çështje shumë personale dhe nga respekti për personin në fjalë, nuk do të komentoj më tej,” shtoi ajo.
Frostadottir theksoi se për këtë informacion kishte mësuar vetëm të enjten në mbrëmje.
Menjëherë thirri ministren në zyrën e saj, ku kjo e fundit dha dorëheqjen.
Sipas mediave islandeze, një kushërirë nga ana e babait të fëmijës së Thorsdottir kishte tentuar dy herë të kontaktonte autoritetet islandeze dhe vetë kryeministren për këtë histori. Pas zbulimit se bëhej fjalë për një anëtare të qeverisë, kryeministrja kërkoi më shumë informacion, gjë që çoi përfundimisht në zbulimin dhe dorëheqjen.
Pavarësisht dorëheqjes nga posti i ministres, Thorsdottir ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga parlamenti.