Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Izraeli po e pengon OBSH-në të furnizojë me karburant spitalet

Autoritetet paralajmëruan se nëse karburanti nuk arrin, shumë shërbime shëndetësore do të pezullohen

Izraeli ka penguar Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të dërgojë karburant në spitalet e Gazës, raportuan burime lokale, transmeton Anadolu.

“Okupatori izraelit po pengon me qëllim përpjekjet e OBSH-së për të dërguar karburant në spitalet e qytetit të Gazës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Sipas deklaratës, Izraeli “ka bllokuar me ngulm” edhe përdorimin e rrugëve alternative për furnizimin e spitaleve në qytetin e Gazës dhe në veri.

Theksohet se karburanti përdoret për funksionimin e gjeneratorëve në spitale dhe se ndalimi i OBSH-së për të sjellë karburant do të thotë pezullim i plotë i shërbimeve shëndetësore.

Deklarata paralajmëroi se nëse karburanti nuk arrin, Qendra Mjekësore Sahaba, Spitali i Shërbimeve të Përgjithshme, stacioni qendror i oksigjenit, ambulancat dhe spitale të tjera do të mbeten jashtë funksionit brenda pak ditësh.

Mungesa e ambulancave dhe mbyllja e stacionit qendror të oksigjenit do të shkaktonin një “katastrofë të rrezikshme shëndetësore dhe humanitare”, thuhet më tej.

Ministria bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, që spitalet e mbetura në Rripin e Gazës të kenë akses të sigurt në karburantin e domosdoshëm.

Në këto spitale, trajtimi i pacientëve dhe i të plagosurve varet nga pajisjet mjekësore që funksionojnë me energjinë e siguruar nga gjeneratorët.

Izraeli, i cili ka kufizuar hyrjen e ndihmave humanitare, ilaçeve dhe karburantit në Gaza, me këtë veprim rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientëve dhe të plagosurve që mbahen në jetë nga pajisjet mjekësore.

Që nga 7 tetori 2023, në sulmet e Izraelit mbi Rripin e Gazës kanë humbur jetën të paktën 64.964 palestinezë, ndërsa 165.312 të tjerë janë plagosur.

Kategoritë
LajmeVendi