Ministri izraelit i mbrojtjes në ekstazë apokaliptike: Thërret murtajat biblike dhe vdekjen e të parëlindurve

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, premtoi të enjten se “të gjitha dhjetë murtajat biblike” do të godasin rebelët Huthi në Jemen, pasi kjo grup, i mbështetur nga Irani, lëshoi tre raketa balistike drejt Izraelit brenda më pak se 24 orësh.

“Huthitë po lëshojnë përsëri raketa drejt Izraelit… murtaja e errësirës, murtaja e vdekjes së të parëlindurve, ne do t’i përmbushim të gjitha dhjetë murtajat,” shkroi Katz në një postim në platformën X.

Ushtria izraelite bëri të ditur se dy nga raketat e lëshuara nga Huthitë u kapën nga mbrojtja ajrore, ndërsa e treta ra jashtë territorit të Izraelit. Njëra prej raketave kishte kokë luftarake me municion kasetë – e dyta e këtij lloji në javët e fundit.

Huthitë premtuan se do të intensifikojnë sulmet ndaj Izraelit pasi një sulm ajror izraelit mbi kryeqytetin Sana javën e kaluar vrau disa ministra të qeverisë së tyre gjatë një mbledhjeje të nivelit të lartë, përfshirë edhe kryeministrin Ahmed al-Rahawi.

Forcat izraelite deklaruan të mërkurën se kishin kapur një raketë të lëshuar nga Jemeni drejt territorit izraelit.

Në komunikatën fillestare, IDF njoftoi se sistemet e tyre kundërajrore u aktivizuan pasi u zbulua lëshimi i raketës, ndërsa qytetarët u ftuan të ndiqnin udhëzimet e Mbrojtjes Civile.

Sirena alarmi ranë në disa zona të Izraelit pas lëshimit.

Më vonë, IDF konfirmoi se raketa nga Jemeni u kap nga aviacioni luftarak izraelit, duke shtuar se alarmet u aktivizuan sipas protokollit.

 

Kategoritë
BotaLajme