Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, e përshkroi paradën ushtarake në Beograd si “një fiasko të plotë të regjimit të Vuçiqit”.
“Sa i përket paradës ushtarake në Beograd, ajo ishte një fiasko e plotë e regjimit të Vuçiqit. Asnjë zyrtar i rëndësishëm ndërkombëtar nuk mori pjesë. Mesazhi është i qartë: Vuçiqi po e shtyn Serbinë në margjinat e komunitetit ndërkombëtar, krah për krah me entitete si Osetia e Jugut dhe Abkhazia. Ajo paradë më shumë i ngjante një rikonstruksioni historik të dobët sesa një paraqitjeje serioze të fuqisë ushtarake moderne. Ndërsa pjesa tjetër e Evropës merret me të ardhmen, Vuçiq vendos edhe një herë të nxjerrë tanket nga muzeu dhe avionët që fluturonin kur Slobodan Millosheviqi përshëndeste nga ballkoni”, shkroi Helez.
“Vuçiqi mund të organizojë një paradë të pranimit të realitetit”
“Nëse kjo duhej të ishte një demonstrim force, mesazhi është marrë: Serbia është thellësisht e mbërthyer në të kaluarën. Regjimi në Serbi, i përballur me kaos të brendshëm, rënie të mbështetjes, izolim ndërkombëtar dhe mesazhe të qarta nga Brukseli e Uashingtoni, po përpiqet me truke të vjetra të largojë vëmendjen nga problemet reale.
Por le të mos mashtrohet. Bosnja e Hercegovina nuk frikësohet nga armët e muzeut. Ne nuk kemi frikë as nga tanket më të vjetra se ushtarët që i ngasin, as nga një paradë e ndërtuar mbi propagandë. Jemi të shqetësuar vetëm për politikën që ende ëndërron ‘Serbinë e madhe’, megjithëse historia është shprehur qartë për atë ëndërr.
Në vend që të bëjë parada, Vuçiqi më në fund mund të organizojë një paradë të pranimit të realitetit: Se fqinjët e Serbisë janë shtete sovrane. Se kufij të rinj nuk do të ketë. Dhe se Ballkani kurrë më nuk do të jetë një fushë lojërash për komplekset e të tjerëve”, shtoi ai.
Në paradë u prezantuan 2500 copë armatimi dhe pajisje ushtarake
Kujtojmë, dje në Beograd u mbajt parada ushtarake me emrin “Fuqia e unitetit”, ku morën pjesë rreth 10.000 ushtarë. Në paradë ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të shtetit serb, me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq.
Parada filloi në orën 11:00 para Pallatit “Serbia” në Beograd, me intonimin e himnit serb dhe të shtëna topash. U mbajt në Ditën e unitetit serb, të lirisë dhe flamurit, dhe u prezantuan rreth 2500 copë armë dhe pajisje ushtarake, mbi 600 automjete, 70 avionë dhe 20 mjete lundruese. Nxënësit e Gjimnazit Ushtarak bartën një flamur me gjatësi plot 300 metra.
Parada përfundoi me kërcimin e parashutistëve nga helikopteri H-145, nga një lartësi prej 1500 deri në 2000 metra. Njëri prej tyre mbante flamurin e Republikës së Serbisë, ndërsa tjetri flamurin e Ushtrisë së Serbisë. Më herët u panë edhe fluturimet e avionëve francezë Rafale si dhe të helikopterëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.