Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Serbia po përkëdhelet nga Bashkimi Evropian, pavarësisht qasjes destruktive të saj.
Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, Mehaj ka thënë se Serbia me politikën e saj hegjemoniste të udhëhequr nga krimineli, Sllobodan Millosheviq, shkaktoi vuajtje, vdekje e shkatërrime në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë, më të mëdhatë dhe më të tmerrshmet që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai ka shtuar se tani Serbia është ajo që e përkrahë Rusinë në luftën kundër Ukrainës dhe pavarësisht kësaj vazhdon të mbetet zgjatim i Rusisë në Ballkan, dhe para këtij fakti BE vazhdon të flirtojë, pa qëndrim të qartë ndaj Serbisë, epilogu i procesit të dialogut Kosovë-Serbi do të mbetet i paqartë.
Ministri ka thënë se Kosovë së bashku me partnerët e saj, kryesuar nga aleati strategjik- SHBA, fuqishëm po punon në forcimin e institucioneve shtetërore në përgjithësi, dhe institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti.