I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me liderët e partive opozitare.
Nga PDK-ja dhe LDK-ja, thanë pas takimit, se nuk e kanë parë Draftin ndërsa vetëm kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj deklaroi se e ka parë dhe se i njëjti(Drafti) është në përputhje me Kushtetutën
Ndërsa nuk vonoi shumë dhe Haradinaj në një emision televiziv në orët e mbrëmjes tha se Serbia ka arsye të ndihet fituese, duke iu referuar Draftit të Asociacionit.
Por si po shihen këto deklarata të Haradinajt?
Zeka tha se e vetmja gjë që ka mundur të kuptojë është se mund të ketë ndonjë marrëveshje ‘nën tavolinë’ ndërmjet Albin Kurtit ndërkombëtarëve dhe Ramush Haradinajt për t’u futur në Qeverinë Kurti.
Gazetari Zeka tha se s’ka aspak transparencë lidhur me dialogun prej askujt.
“Ti s’ke transparencë këtu, gazetarë dhe analista krejt lëshohen në rrugën e spekulimeve, rrej ata rrej na, po bëjmë gara kush po rren më shumë, a ata apo ne” tha Zeka për “Gazeta Blic”.
Ish-kryeministri, Haradinaj, deklaroi mbrëmë se Drafti bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e vendit, derisa shtoi se dokumenti është i pasur me shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë.
“Në dokument janë dhënë shumë mundësi dhe shumë lehtësi në qeverisje, në jetën qeverisëse të nivelit komunal, ato që veç i kanë komunat, por edhe një kooperim mes komunave, pra Asociacioni, janë dhënë po ashtu të drejta, ose përgjegjësi në shëndetësi, në edukim, me përkrahje të Serbisë siç ndodhë edhe sot, por me një dallim se do të jetë validitimi i tyre i dyanshëm ta zëmë e diplomave, ndërsa në të gjitha këto situate të parapara që Asociacioni i ka si rasti i asamblesë, kryetarit, nënkryetarit, bordet, administratën, financimin, për të gjitha i referohet pra në bazë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës edhe atyre neneve që Kushtetuta jonë thirret në konventat ndërkombëtare për obligimet, ose të drejtat që ua njeh komuniteteve”, tha Haradinaj në Rubikon raporton Gazeta Blic.