Mijëra izraelitë iu bashkuan sot një marshimi drejt Rripit të Gazës, duke kërkuar ngritjen e vendbanimeve të paligjshme në këtë territor palestinez. Ushtria nuk i pengoi në këtë përpjekje.
Të paktën katër pika kontrolli ushtarake, të vendosura në rrugën drejt kufirit verior të Rripit të Gazës, u çanë nga aktivistë radikalë të kolonëve izraelitë, të cilët marshuan në mbështetje të vendosjes së hebrenjve në territorin palestinez. Forcat e sigurisë bënë shumë pak rezistencë.
Pavarësisht se marshimi u zhvillua në një zonë të mbyllur ushtarake dhe në kundërshtim me urdhrat e qartë të ushtrisë izraelite, i ashtuquajturi “Marshi i mijërave” mori mbështetje të gjerë nga anëtarë të qeverisë izraelite. Sipas organizatorëve nga grupi i kolonëve Nachala, në marshim morën pjesë 28 ministra dhe deputetë të koalicionit qeverisës.
Duke folur rreth një kilometër larg kufirit, para disa mijëra pjesëmarrësve, ministri izraelit i Komunikimeve, Shlomo Karhi nga partia Likud, shprehu mbështetjen për vendosjen e hebrenjve në Gaza.
Ai bëri thirrje për “vendosje në të gjitha pjesët e tokës që u është dhënë paraardhësve tanë, për t’u treguar armiqve se nuk ia vlen të përballen me ne dhe për të paraqitur pamjen e vërtetë të fitores”.
Gjithashtu, ai u bëri thirrje izraelitëve që “të lëshojnë rrënjë të thella në çdo tokë, përfshirë edhe zonën e Gazës”.
Më herët gjatë ditës, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, u pa duke u shtrënguar duart pjesëmarrësve dhe duke u dhënë mbështetje në pikën e nisjes së marshimit.
Pasi kaluan barrikadën e parë pranë plazhit Zikim, pjesëmarrësit u ndanë në disa grupe dhe lëvizën nëpër dunat e rërës për t’i anashkaluar automjetet ushtarake dhe forcat policore.
Disa prej tyre arritën deri te një lartësi pranë gardhit kufitar me Gazën. Nuk dihet nëse ndonjëri prej pjesëmarrësve arriti të hynte në territorin e Rripit të Gazës.









