Mijëra izraelitë i dërguan mesazhe më të ashpra se kurrë Netanyahut: “Për ty nuk do të ketë vend mjaftueshëm të nxehtë në ferr”

Në prag të festave të mëdha hebraike, familjarët e pengjeve të mbetura të Hamasit u mblodhën përsëri në Jerusalem dhe i dërguan, duket, mesazhet më të ashpra ndonjëherë kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Halla e Hanne Cohen, një nga pengjet e vrara, e pyeti Netanyahun: “Në cilin botë 48 pengje, qytetarë, të gjallë e të vdekur, janë rrëmbyer dhe nuk janë kthyer në shtëpi për gati dy vjet?”

Ajo kërkoi takim të kryeministrit me familjet dhe përgjigje mbi gjendjen shëndetësore të të dashurve të tyre.
“Ka ndonjë shlyerje për këtë? Jo!”, tha ajo.

Alon Nimrodi, babai i ushtarit të rrëmbyer Tamir Nimrodi, iu drejtua kryeministrit me nofkën e tij, gjë që shkaktoi të qeshura mes të pranishmëve.
“Bibi Netanyahu, ka ardhur koha të hapësh zemrën dhe të tregosh pak respekt për jetën njerëzore”, tha ai.

Më vonë, një grup i madh i pranishmëve bëri shëtitjen tashmë tradicionale deri te rezidenca e kryeministrit izraelit, duke vazhduar me fjalime.

Nëna e pengut Matan Zangauker tha se “nuk ka vend mjaftueshëm të nxehtë në ferr” për kryeministrin Netanyahu, duke folur para rezidencës zyrtare të tij në Jerusalem.

Duke iu drejtuar mijëra demonstruesve në kryeqytet që kërkonin marrëveshje për armëpushim dhe kthimin e pengjeve, Einav Zangauker tregoi për ditët e fundit të kaluara para rezidencës private të Netanyahut, në një kamp proteste të ngritur nga familjet e pengjeve për t’i kundërshtuar operacionin tokësor të IDF-së në qytetin Gaza.

“Edhe unë këtë javë kam bërtitur në rrugën Azza duke kërkuar marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe fundin e luftës, por Netanyahu i mbyll dritaret e shtëpisë së tij – nuk ka vend mjaftueshëm të nxehtë në ferr për këtë udhëheqës”, tha ajo para të mbledhurve.

Shumë familje të pengjeve frikësohen se operacioni për marrjen e qytetit Gaza mund t’i vërë më shumë në rrezik të dashurit e tyre, ndërsa anëtarët e Hamasit pretendojnë se grupi i mban pengjet nëpër lagje të ndryshme në të gjithë zonën.

“Në të njëjtën kohë kur unë dëgjoja dhe ndjeja shpërthimet mbi Matanin tim këtë javë, Smotrich dhe Ben Gvir fantazonin për ndërtimin e qyteteve dhe pasurive në Gaza”, tha ajo, duke iu referuar ministrave të ekstremit të djathtë të qeverisë.

Kategoritë
BotaLajme