Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo është magjepsur nga jeta në Arabinë Saudite dhe deklaroi se “i përket atij vendi” pasi rinovoi kontratën me Al-Nassr.
Ishte e paqartë se ku do të vazhdonte karrierën Ronaldo. Kishte zëra se kishte oferta nga klube të tjera dhe madje se mund të luante në Botërorin e Klubeve për një ekip tjetër. Por gjithçka u vendos – ai mbetet te Al-Nassr, me një zgjatje dyvjeçare të kontratës së tij.
Klubi saudit konfirmoi se Ronaldo ka nënshkruar kontratën e re, e cila i siguron rreth 185 milionë euro në vit, duke e mbajtur atë në fronin e futbollistit më të paguar në botë.
Pas firmosjes së marrëveshjes, Ronaldo tregoi sa është mahnitur nga jeta në Arabinë Saudite. Ai u shpreh se “edhe pse jam portugez, i përkas Arabisë Saudite”.
“Jam i lumtur sepse e di që liga është jashtëzakonisht konkurruese. Dua të qëndroj sepse besoj në projektin, jo vetëm për dy vitet e ardhshme, por deri më 2034, kur Arabia Saudite do të presë Kampionatin Botëror, për të cilin besoj se do të jetë më i miri i të gjitha kohërave,” tha Ronaldo.
Portugezi falënderoi princin Mohammed bin Salman për inkurajimin e zhvillimit të sportit në Arabinë Saudite.
“Do të qëndroj edhe dy vite si futbollist, por edhe përgjithmonë, sepse kontributi im këtu nuk është vetëm për futbollin, por për gjithçka. Dua të jem pjesë e zhvillimit të këtij vendi. Unë jam portugez, por i përkas Arabisë Saudite,” përfundoi ai.