Mesazhi brutal i Putinit për Ukrainën: Përfundoni luftën me negociata ose do ta përfundoj unë me forcë

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të mërkurën se ekziston një shans që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes negociatave “nëse mbizotëron arsyeja e shëndoshë”, gjë që sipas tij do të ishte opsioni i preferuar. Megjithatë, ai theksoi se është i gatshëm ta përfundojë me forcën e armëve nëse kjo do të jetë e vetmja rrugë.

Duke folur në fund të vizitës së tij në Kinë, Putin tha se sheh “dritë në fund të tunelit”, duke iu referuar, sipas tij, përpjekjeve të sinqerta të Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje për luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Më duket se, nëse mbizotëron arsyeja e shëndoshë, do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti. Kjo është parashikimi im. Sidomos sepse shohim disponimin e administratës aktuale amerikane nën presidentin Trump, jo vetëm përmes deklaratave të tyre, por edhe përmes dëshirës së sinqertë për ta gjetur këtë zgjidhje,” tha Putin.

Ai shtoi se nëse nuk do të ketë marrëveshje, Rusia “do të detyrohet të zgjidhë të gjitha detyrat e saj me forcën e armëve”.

Putin megjithatë nuk tregoi gatishmëri për të hequr dorë nga kërkesat e tij të kahershme – që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, të anullojë atë që Moska e quan diskriminim ndaj popullsisë ruse dhe të pranojë kontrollin rus të paktën mbi Donbasin.

Ai tha se është i hapur për një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky nëse ky i fundit do të vinte në Moskë, por vuri në pikëpyetje kuptimin e një takimi të tillë. Putin përsëriti se Zelensky është “jolegjitim” pasi nuk ka mbajtur zgjedhje gjatë gjendjes së luftës, ndërsa nga Kievi theksojnë se zgjedhjet në këto rrethana janë të pamundura.

Nga ana tjetër, Zelensky këmbëngul për një takim me Putinin për të diskutuar një marrëveshje të mundshme, duke i bërë thirrje Uashingtonit të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës nëse lideri rus refuzon negociatat. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë arritjen e paqes, ka deklaruar gjithashtu se dëshiron një takim mes dy liderëve, por deri më tani nuk ka vendosur sanksione shtesë kundër Rusisë.

Putin përsëriti se nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e një takimi me Zelenskyn, por se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të sjellë rezultate konkrete.

“Sa i përket takimit me Zelenskyn, nuk e kam përjashtuar kurrë këtë mundësi. Por a ka kuptim? Do ta shohim,” përfundoi Putin.

 

Kategoritë
BotaLajme