Presidenti sirian Ahmed al-Shara u takua sot me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), takim i cili u shënua nga reagimet dhe shprehjet e kryeministres italiane.
Gjatë këtij takimi të parë mes kryeministres italiane dhe presidentit sirian u krijua një platformë për rinovimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Sipas fjalëve të Melonit, pika kyçe e zhvillimit të marrëdhënieve me Sirinë do të jetë sigurimi i sigurisë dhe lirive për të gjitha komponentët e shoqërisë siriane.
“Ky takim ofroi mundësinë për të konfirmuar mbështetjen e Italisë për rindërtimin e një Sirie të qëndrueshme dhe sovrane, duke përfshirë edhe përmes investimeve të kompanive italiane në sektorë të ndryshëm me interes të ndërsjellë”, tha Meloni.
Megjithatë, takimi u shënua nga fotografitë e kryeministres italiane Meloni, e cila me kënaqësi dhe me një buzëqeshje të veçantë ndiqte Ahmed al-Sharan.
Al-Shara gjithashtu iu përgjigj Melonit, gjë që përbën një ndryshim të rëndësishëm në krahasim me praktikën e tij gjatë takimeve të mëparshme me politikane që vijnë nga shtetet evropiane.
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale të presidencës siriane u bë e ditur se takimit i kanë marrë pjesë edhe ministri i jashtëm sirian, Esad Sheybani, dhe bashkëpunëtorët e tij.